32 C
Pec
E diel, 13 Korrik, 2025

Doganat e Ballkanit Perëndimor dhe BE riafirmojnë bashkëpunimin për tregti pa pengesa

Në Tiranë u zhvillua Konferenca e Dytë e Nivelit të Lartë e Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave, nën temën “Partneritet Doganor për një Europë të Lidhur”.

Kjo ngjarje mblodhi drejtuesit më të lartë të administratave doganore nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, duke shërbyer si një platformë për përforcimin e bashkëpunimit strategjik rajonal dhe evropian në fushën e doganave.

Konferenca u hap zyrtarisht nga Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, të cilët theksuan rëndësinë gjeopolitike të zgjerimit të BE-së dhe nevojën për integrim të qëndrueshëm ekonomik dhe doganor të rajonit.

Në përmbyllje të punimeve u miratua Deklarata e Përbashkët, e cila riafirmon zotimin e përbashkët për:

Harmonizim më të shpejtë me Kodin Doganor të BE-së

Thellim të zbatimit të Hapësirave të Gjelbërta dhe të Kaltërta (Green & Blue Lanes)

Përmirësim të shkëmbimit të të dhënave në kohë reale përmes platformës SEED+

Bashkëpunim më të ngushtë me bizneset dhe njohje reciproke të programeve AEO (Operatorët Ekonomikë të Autorizuar)

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, Genti Gazheli, theksoi domosdoshmërinë për modernizim të vazhdueshëm teknologjik dhe forcim të kapaciteteve për të luftuar kontrabandën dhe informalitetin.

Nga ana e tij, Roberto Alesse, Drejtor i Agjencisë së Doganave të Italisë, nënvizoi se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë themel i sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Matej Zakonjšek, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, vuri theksin në rëndësinë e procedurave efikase për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, si pjesë e integrimit në BE.

Ndërkohë, Edna Karadza nga CEFTA theksoi rolin qendror të digjitalizimit për tregtinë rajonale, duke theksuar se platforma SEED+ është shtylla e “Green & Blue Lanes”.

Konferenca përfshiu gjithashtu panele të fokusuara në të ardhmen e bashkëpunimit doganor BE–Ballkani Perëndimor, rolin e teknologjisë dhe modernizimin institucional si pjesë kyçe e integrimit evropian./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...