Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës reagoi sot pas raportimeve rreth shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik për ofrimin e shërbimeve postare diplomatike.
Përmes një postimi, MPJD-ja bën të ditur se operatori në fjalë ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit, dhe se i njëjti kishte shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgim të dokumenteve.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla. Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla u shpreh se deklaratat që po bëjnë opozita lidhur me këtë, “nuk janë asgjë më shumë se shpifje të turpshme dhe përpjekje të dëshpëruara për të manipuluar opinionin publik”
Gërvalla konfirmoi se nuk ka humbur asnjë dokument, vetëm ka vonesë në arritjen e tyre në destinacion, të cilën gjë e ka adresuar edhe tek organet kompetente. “Qenkan aktivizuar me të madhe ata që ua mbyllëm derën e mashtrimit, keqmenaxhimit, ryshfetit, korrupsionit dhe blerjes së gradave diplomatike, me sulme të reja të mbështetura në dezinformata, duke publikuar tituj që reflektojnë dëshirën e tyre dhe të financuesve të tyre për ta parë Kosovën të dëmtuar e të njollosur, por jo realitetin e ri ku ligji tashmë sundon në tërësi. MPJD vazhdon me përkushtim t’u shërbejë mërgimtarëve tanë, duke ndëshkuar sipas ligjit çdo akt papërgjegjësie dhe duke siguruar që përgjegjësitë ligjore të respektohen deri në fund” u shpreh Gërvalla.
Paraprakisht, MPJD-ja deklaroi se ka ndërmarrë masa në shkëputjen e kontratës me operatorin përgjegjës. “Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës” thuhet në njoftimin e MPJD-së./Njeshi/