Inxhiniere Janina Ymeri ka dorëzuar një ankesë zyrtare në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes së cilës kërkon fillimin e hetimeve dhe pezullimin e menjëhershëm të licencave të kompanive Energy Financing Team LLC (EFT) dhe NOA Energy Trade Sh.P.K, për manipulim të tregut të energjisë.
Sipas Ymerit, ankesa është e mbështetur në dokumente konkrete që ngrenë dyshime serioze për manipulime në tregun ndërkufitar të energjisë elektrike nga këto kompani.
Ajo thekson se veprimet e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë për bizneset në Kosovë, përmes grumbullimit të kapaciteteve ndërkufitare dhe kontrollit të aksesit në importet e energjisë.
“ZRRE ka në dorë zgjidhjen – të ndalë përfitimet e paligjshme duke zhbllokuar dy interkonektorët ME-KO dhe KO-MA, çka njëkohësisht do të ndikonte në uljen e çmimit të energjisë së importuar,” thuhet në njoftimin e saj.
Ymeri gjithashtu u bën thirrje të gjitha kompanive energjetike në Kosovë – përfshirë KESCO/KEDS, KEK dhe operatorët privatë – të hapin përfaqësi në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe të marrin pjesë në ankandet për transmetim në linjat ndërkufitare, në mënyrë që të thyhen marrëveshjet aktuale me natyrë monopoliste.
Sipas saj, përfshirja aktive në këto ankande do t’u mundësonte kompanive kosovare të lidhin kontrata afatgjata me furnizues evropianë, me çmime më të favorshme sesa ato ditore në tregjet HUPX dhe ALPEX.