Duke u thirrur në deklaratat e mbi 10 dëshmitarëve bashkëpunues të Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku, prokurori që po heton dosjen “Brezovica” ka ndarë detaje nga hetimet e rastit.
Ai ndër të tjera ka treguar se nga hetimet e bëra rezulton se paratë e dyshuara të korrupsionit janë bartur edhe me qese dhe ka raste kur kanë shkuar deri në 200 mijë euro.
“Të gjitha paratë janë paguar ‘cash’ dhe ato janë dhanë me zarfe kur kanë qenë shumat më të vogla por nga dëshmitë e dëshmitarëve rezulton se kur ka pasur shuma më të mëdha janë bartur edhe me qese e çanta dhe janë paguar deri në 200 mijë euro përnjëherë”- theksoi Maloku.
“Nga hetimet e trajtuara deri me tani thuajse në të gjitha rastet e trajtuara është paguar ryshfet për ndërtimin e një vile në shumën prej 10 mijë euro por ka pasur raste kur janë ndërtuar fshatra turistike çmimi ka qenë më i ulët ka shkuar në 8 mijë – 7 mijë varësisht prej investitorit por parimisht ka qenë çmim standard për marrjen e një leje ndërtimore për ndërtim në zonën e Brezovicës ka qenë 10 mijë euro”- theksoi Maloku.
I pyetur nga moderatori se sa vila janë ndërtuar në këtë skemë të ndërtimit, prokurori i rastit u përgjigj se janë rreth 800 të ndërtuara në dy zonat, atë të tretën dhe zonën e dytë.
“Prokuroria e Ferizajt ka arritur të provojë në kuptimin e procedurës hetimore se janë mbi 3 milionë euro që janë paguar në këtë zonë për këto ndërtime, sepse nga të gjitha komunikimet edhe nga dëshmitarët është thënë se asnjë objekt nuk ka mundur të ndërtohet pa dhënë mito”-ka thënë Maloku, duke shtuar se shumica e parave kanë shkuar tek tani i pandehuri – ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.