Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë sot (11.09.2024) nga Prokuroria Speciale.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24 shtator 2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vdekur zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq, Prokuroria renditi edhe inicialet e B. S., V. T., D. M., V. R., U. J., M. J., V. A., A. M., L. S., V. D., V. V., S. J., M. K., U. M., T. V., D. V., V. J., S. P., N. S., M. V., S. R., M. R., M. A., ZH. C., K. D., S. M., M. S., A. .J, R. G., I. M., G. Z., N. R., R. A., M. M., GJ. B., D. GJ., D. .V, A. T., M. K., M. N., N. I., V. I..
Po ashtu, i akuzuar si person juridik është edhe “R” teksa i akuzuar i fundit si person përgjegjës është R. S.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, prokurori i Speciales që udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-ës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.
Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Jo më larg së të dielën e fundit, më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.
Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.
Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.
Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.
Plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi vetëm vitin e kaluar, pra 2022, ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.
Çështja e Banjskë vazhdon të mbesë temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen e që diskutohet për raportet Kosovë-Serbi.
Më 25.06.2024 zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, kishte ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë.
Në një konferencë për media, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.
Po atë ditë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ishte përgjigjur Stanos, duke thënë se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqësh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar (2023). /Njeshi/