Pasi Qeveria e Kosovës ka hequr masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, dërgesat me produkte nga Serbia aktualisht kanë arritur mesataren prej 90 sosh në ditë nga pika kufitare në Merdarë.
Kjo u bë e ditur nga drejtori i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, i cili tha se nga janari deri në tetor të këtij viti, vendi ka importuar nga shteti fqinj mbi 90 milionë euro.
Ai tutje për KosovaPress tha se për të njëjtën periudhë të vitit 2023, vlera e importeve nga Serbia ishte 177 milionë euro.
Drejtori i Doganës tha se Shqipëria mbetet partneri kryesor i Kosovës, e cila prin sa i përket eksportit të mallrave në këtë shtet, krahasuar me vendet tjera të rajonit.
“Kosova eksporton me një trend mjaft stabil sa i përket vendeve që eksportojmë. Sivjet ka pasur një rritje të konsiderueshme të eksportit drejt Shqipërisë, vlera aktuale është 137 milionë krahas 93 milionë sa ka qenë në vitin e kaluar, kjo rritje është afër 47 për qind. Pastaj, vijon Maqedonia e Veriut ku edhe sivjet në këtë pjesë kemi një rritje, aktualisht kemi 119 milionë krahas 103 milionë sa ka qenë vitin e kaluar. Pastaj, dominon Gjermania, edhe këtu kemi pasur një rritje nga 78 milionë sa ka qenë viti i kaluar, sivjet janë 83 milionë. Pastaj, Zvicra ku kemi eksportuar, edhe këtu me një rritje, 71 milionë janë sivjet, krahas 63 milionëve që ka qenë vitin e kaluar. Si dhe Shtetet e Bashkuara ku kemi pasur një rënie, për shkak se produkti kryesor që ka qenë i eksportuar nga taksat, nga politikat që janë vendosur, nga ky kuptim ka pasur një rënie, përndryshe produktet tjera si tërësi e produkteve nuk është se kanë pasur ndonjë rënie… Deri në fund të muajit tetor eksporti i Republikës së Kosovës drejtë vendeve tjera ka arritur në shumën 777 milionë, krahas 721 milionë sa ka qenë viti i kaluar për periudhën e njëjtë, kjo d.m.th një rritje prej afër 8 për qind”, thotë Llugaliu.
Sipas tij, ka rritje të të hyrave gjatë këtij viti si rrjedhojë e luftimit të ekonomisë informale dhe shtrirjes së sundimit të ligjit në veri të Mitrovicës.
Ai tha se të hyrat tani janë 1.6 miliardë, apo 150 milionë më shumë se sa viti i kaluar.
“Të hyrat tani janë 1.6 miliardë euro, apo 150 milionë më shumë se sa viti i kaluar. Tek ndikimi i rritjes së të hyrave janë faktorë të shumtë, dominon edhe luftimi efikas i informalitetit në përgjithësi, mirëpo edhe rritja e përgjithshme ekonomike që ndikon në rritjen e kërkesës për produkte, sidomos për produktet që bëhen nga importi për ato produkte që nuk prodhohen në Republikën e Kosovës. Por, një faktor i rëndësishëm është edhe vet formaliteti që kur krahasojmë rritjen e të hyrave krahas rritjes ekonomike dhe rritjen e vlerave reale të deklaruar të mallrave shohim që është më shumë se dyfish se rritja ekonomike, që në trendët historike ka qenë zakonisht sa ka qenë rritja ekonomike aq ka qenë rritja e të hyrave dhe vlerave që janë deklaruar për import. Në këtë drejtim luan një rol të veçantë efikasiteti që kemi pasur në luftimin e ekonomisë në përgjithësi, edhe Mitrovica e Veriut që ka pasur një shtrirje të sundimit të ligjit sidomos në këto dy vitet e fundit”, u shpreh Llugaliu.