21 C
Pec
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Drejtori i RTK-së: Gjuha e deputetit Dimal Basha sulm i drejtpërdrejtë mbi punën e televizionit, Kuvendi të reagojë

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, ka reaguar pas rastit të djeshëm ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, e ka cilësuar pyetjen e gazetares së RTK-së rreth Asociacionit, si diçka që do t’i interesonte Radio Televizionit të Serbisë (RTS) por jo televizionit publik të Kosovës.

Ahmetxhekaj ka thënë se ndërtimi i narracionit se kushdo që raporton ndryshe me bindjet e tjetrit është me Serbinë është sulm i drejtpërdrejtë mbi punën dhe angazhimin e përditshëm.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës do të duhej të dënonte ashpër gjuhën e deputetit Dimal Basha kundrejt redaktores së RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi.

Drejtori i RTK-së thotë se gjuhë të ngjashme javë më parë kishte përdorur edhe deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, në një televizion privat. Ahmetxhekaj ka theksuar se është urgjente që kjo qasje të ndëshkohet dhe që të gjithë ata që synojnë të frikësojnë dhe të imponojnë qasjen dhe pyetjet e gazetarëve të ftohen në përgjegjësi.

Reagimi i plotë:

Ne në RTK çdo ditë angazhohemi fuqishëm që të përmbushim misionin tonë të përcaktuar me ligj, e mbi të gjitha duke respektuar standardet profesionale. Ky është përcaktim i yni pasi ne jemi #RTKePublikut.

Ndërtimi i narracionit që kushdo që raporton ndryshe nga bindjet politike të tjetrit është me Serbinë dhe RTS-in, është sulm i drejtpërdrejt mbi punën dhe angazhimin tonë të përditshëm.

Në këtë kontekst, Kuvendi i Kosovës, si themelues i RTK-së, do të duhej të avanconte pavarësinë e transmetuesit publik, duke miratuar modelet e financimit të qëndrueshëm dhe duke zgjidhur çështjen e pronës dhe do të duhej të dënonte ashpër gjuhën e deputetëve që ndërtojnë narracion kundër RTK-së.

Paradoksalisht, në ditën e lirisë së medias, një deputet nga partia në pushtet, nga studio e RTK-së, bën një kualifikim të tillë, duke na krahasuar me RTS-in. Dhe pse? Sepse redaktorja Blerta Foniqi-Kabashi e pyet deputetin Dimal Basha për një kërkesë të parashtruar publikisht nga partnerët e Kosovës.

Krahasim me RTS-in kishte bërë para pak muajsh edhe deputeti i PDK-së Ardian Kastrati në një studio të një mediumi privat, ndërkaq diskurs i tillë është përdorur edhe në raste më të izoluara.

Është urgjente që kjo qasje të ndëshkohet dhe që të gjjthë ata që synojnë të frikësojnë dhe të imponojnë qasjen dhe pyetjet e gazetarëve të ftohen në përgjegjësi.

RTK do të mbetet e publikut dhe jam i lumtur që brenda këtij institucioni kemi profesionist që japin maksimumin e tyre për të raportuar drejtë dhe për të parashtruar pyetje që publiku pret përgjigjje.

Transmetuesi publik do t’i shërbejë vetëm Publikut./Njeshi&RADIO 1/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...