Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se brenda dy ose tri ditëve do të jetë gati raporti final se a është stabile apo jo Ura e Ibrit.
Durmishi pas takimit konsultativ me qytetarët për çështjen e urës në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, ka thënë se nuk e di se kur do të hapet ura dhe këto janë testimet e fundit.
Sipas tij, nëse raporti thotë që nuk është stabile do të vazhdojnë me veprimet e tjera.
“Siç po e shihni sot jemi duke i bërë testimet për stabilitetin e urës mbi urën Ibër. Kemi filluar para dy dite… Gjatë ditës do të përfundoj ky si proces në mënyrë që brenda dy tri dite të kemi raportin final se a është stabile apo jo ura. Se kur do të hapet ura nuk e di por e di që ura do të hapet se nuk ka arsye që të jetë e mbyllur. Këto janë testimet e fundit…. në bazë të asaj që unë di dhe përvojës si inxhinier kjo është ura më stabile… nëse raporti thotë që nuk është stabile do të vazhdojmë me veprimet e tjera”, ka thënë Durmishi.
Ndryshe, ditën e sotme po bëhet testimi i Urës së Ibrit, ku po lëvizin tre kamionë të rëndë dhe të ngarkuar me qëllim që të matet stabiliteti i saj.
Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin po insiston që kjo urë të hapet për qarkullim, por kjo nuk ka gjetur mbështetje te aleatët ndërkombëtarë.
Të premten e shkuar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me Kurtin se vendet e QUINT-it në konsultim me NATO-n nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit të kësaj ure./Njeshi/