Edhe pse nuk ka nisur zyrtarisht sezoni turistik, Durrësi mbetet një ndër qytetet më të frekuentuara sidomos me ndryshimin e temperaturave. Turistë të shumtë kanë nisur të shijojnë rrezet e diellit dhe ujin e freskët të detit.
Shumë prej tyre kryesisht nga vendet nordike shprehen se kanë ardhur pasi në Durrës ka mot të mirë me diell.
“Kemi ardhur për pushime në Durrës. Mendojmë se është çdo gjë mirë, prisnim më shumë diell dhe mot më të ngrohtë, për fat të mirë sot kemi diell”, shprehet turisti.
“Ne jemi nga Islanda dhe vijmë për herë të parë. Ne sapo kemi ardhur dhe do të shkojmë për të parë amifeatrin, xhaminë Fatih dhe plazhin. Kemi ardhur të kalojmë vetëm ca ditë pushime”, tha turisti.
“Jam nga Finlanda. Vij për herë të parë në vendin tuaj. Unë gjithashtu jap mësim në universitet në Finlandë për zhvillimin e turizmit dhe është mbresëlënëse të shoh se si po zhvillohet turizmi këtu. Mendoj se njerëzit janë mjaft miqësorë dhe shumica flasin anglisht, por edhe ata që nuk dinë, mundohen të gjejnë mënyra të tjera komunikimi”, tha turistja.
Eduard Xhepa, kryetar i shoqatës së turizmit në Durrës thotë se “aktualisht ka një sezon më të gjatë turistik dhe këtë vit ka nisur që në muajin prill, pasi ka turistë nga e gjithë bota”.
Përsa i përket me çmimeve, operatorët e hoteleri-turizmit nuk kanë bërë rritje të tyre duke i lënë në nivelin e vitit kaluar, të cilat konsiderohen mjaft konkurruese krahasuar me vendet e rajonit./RTSH/Njeshi/