Dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri pasditen e sotme në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar për media, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Mon Balaj’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Borovci.
Sipas Borovcit, veprimet e shpejta operativo hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast. Pak kohë pas ngjarjes njëri nga ta është arrestuar nga ana e policisë, ndërkaq tjetri është ende në arrati. Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia. /Njeshi/