Burime të Radio-portalit Njeshi mësojnë se në takimin që është zhvilluar në zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, me zyrtarë të lartë të administratës së Trump-it, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të qëndrimit rreth taksës nga ana e Kryeministrit Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka dalë i pari nga takimi. Ndërkohë, amerikanët dhe presidenti Thaci kishin vazhduar të qëndrojnë edhe për pak minuta në Presidencë.
Pas takimit Kryeministri Haradinaj i është drejtuar opinionit të gjërë, me anë të një postimi në facebook.
Postimi i plotë i Kryeministrit Ramush Haradinaj
“Në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, së bashku me presidentin e vendit tonë, theksova se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.
Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Poashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.
Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj. I mbetemi besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërëndimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”-shkruan Haradinaj. /Njeshi/