4.2 C
Pec
E enjte, 7 Dhjetor, 2023

Edi Rama i përgjigjet Kurtit, thotë se para tij Vjosa Osmani kërkoi që KFOR-i ta marrë kontrollin në veri të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me deklaratën e tij të mbrëmshme për propozimin e Ramës, i cili dje në një konferencë për media tha se “Veriun e Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFOR”, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Rama ka thënë se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Vjosa Osmani, pa treguar se ku e ka shtruar këtë kërkesë e para e vendit.

Për propozimin e tij, Rama tha se ka komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike dhe se ka gjetur gatishmëri maksimale, derisa deklaratën e tij e ka mbështetur duke thënë se “KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!”.

“Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll  veriun një orë e më pare”, ka shkruar Rama në platformën X.

Rama ka pasur edhe disa fjalë për ata që e kanë sulmuar në rrjete sociale, që ka thënë se janë “politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë”.

“E di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia. Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur!”, ka shkruar tutje Rama./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...