16.9 C
Pec
E hënë, 28 Prill, 2025

Edi Rama: Mandati i katërt, një fitore gjeopolitike, ylli i BE-së është në dorën tonë dhe nuk do ta lëshojmë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet për herë të parë në një moment historik real për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, duke e cilësuar mandatin e katërt të Partisë Socialiste si vendimtar për këtë proces. Në një takim të mbajtur me gratë dhe vajzat socialiste, Rama foli për arritjet e deritanishme në arenën ndërkombëtare dhe për objektivat e ardhshëm drejt integrimit.

“Për herë të parë, Shqipëria ka në dorë një mundësi historike reale dhe aktuale që të hyjë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade. Këtë yllin që na ka ardhur në dorë, ne nuk do e kthejmë, por do e mbajmë fort dhe ta çojmë atje”, deklaroi Rama.

Ai tha se qeverisja socialiste ka përmirësuar imazhin e vendit dhe ka rritur peshën e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. “E ngritëm çdo vit e më lart emrin e Shqipërisë dhe pozicionin e flamurit tonë ndërkombëtarisht, aty ku nuk kishte qenë kurrë më parë”, u shpreh ai.

Rama kujtoi arritjet si anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe organizimi i samitit të parë të liderëve të BE-së jashtë territorit të unionit, pikërisht në Tiranë. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e ngjarjeve që do të pasojnë, si Samiti i Komunitetit Politik Europian më 16 maj dhe Samiti i NATO-s në vitin 2027, që do të mbahen në kryeqytetin shqiptar.

Lidhur me procesin e negociatave me BE-në, Rama tha: “Po negociojmë si të çmendur për ta mbyllur në tre vjet një proces që ka zgjatur shumë më tepër për vendet e tjera”. Ai ironizoi opozitën, të cilën e quajti “kënetë”, për skepticizmin ndaj Konferencës së Katërt Ndërqeveritare. “Para ca javësh, këneta tha se nuk ka më konferenca. Sot u publikua data 14 prill për Konferencën e katërt dhe do hapim një seri tjetër kapitujsh”, shtoi kryeministri.

Duke përmbyllur fjalën e tij, Rama tha se mandati i katërt nuk është thjesht një fitore numerike, por një domosdoshmëri për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së: “Për të hyrë në BE, na duhet një mandat i katërt jo numerikisht, por që të jetë më i fortë se tre mandatet e mëparshme. Ky është ylli ynë në BE sepse e kemi në dorë”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...