Adem Qorolli, njohës i çështjeve të ekonomisë dhe kritik i rregullt i politikave qeveritare, ka bërë të ditur se ka marrë një kërcënim me jetë përmes rrjeteve sociale.
“Ruaje veten se mos po të kap ndonjë plumb pas koke”, është mesazhi që Qorolli thotë se i është dërguar nga një komentues me emrin Imer Nikqi.
Eksperti i ekonomisë ka reaguar përmes një postimi publik, ku kërkon nga institucionet e sigurisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet, duke e konsideruar kërcënimin jo vetëm si një sulm personal, por edhe si një goditje ndaj të drejtës për të folur lirshëm.
“Sot, përmes rrjeteve sociale, kam marrë një kërcënim me jetë si pasojë e angazhimit tim publik si ekspert i ekonomisë dhe analizave të pavarura që publikoj rregullisht,” ka shkruar Qorolli. Ai shton se qëllimi i tij ka qenë dhe mbetet kontributi profesional për zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke theksuar se nuk do të frikësohet nga kërcënime të tilla, Qorolli apeloi për mbrojtje të të drejtës së fjalës dhe për unitet qytetar kundër çdo forme frikësimi apo dhune.
“Liria e fjalës dhe siguria personale janë themele të demokracisë sonë – nuk guxojmë të lejojmë që të cënohen,” theksoi ai.
Institucionet përkatëse ende nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me rastin. /Njeshi/