8.7 C
Pec
E premte, 1 Mars, 2024

Ekspertët: E domosdoshme vendosja e radarëve dhe hulumtimi i faktorëve

Të mërkurën e 19 dhjetorit aksidenti në trafik ia mori jetën edhe një personi tjetër në Kosovë.

Aksidenti ndodhi në Llapashticë të Podujevës.

E, një rast tjetër tragjik ka ndodhur pikërisht në mbrëmjen e së shtunës ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur gjatë garave me makina në autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të Prizrenit.

Që nga fillimi i këtij viti e deri më 18 dhjetor aksidentet në Kosovë ua kanë marrë jetën 103 qytetarëve.

Prej tyre, 46 ishin shoferë, 29 këmbësorë dhe 28 pasagjerë.

Menjëherë pas aksidentit tragjik në Prizren, deputetja e Vetëvendosjes, njëherit kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se në tre mujorin e parë të vitit 2024 do të hyjë në fuqi ligji i ri për rregullat në trafik.

Ajo, ka treguar se i njëjti do të ketë dënime shumë më të ashpra sesa ligji aktual në duqi.

Që do të ketë ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik e ka konfirmuar të mërkurën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri ka thënë se ligji i ri, nëse miratohet, parasheh dyfishim të gjobave, konfiskim të patent-shoferëve dhe dyfishim të pikëve, dhe se barra kryesore do të rëndojë mbi pronarin e makinës.

Por, se a do të ketë efekt ndërrimi i këtij ligji, dhe se çfarë duhet të bëjnë institucionet që të parandalohen aksidentet në trafik, për media kanë folur ekspertë të komunikacionit.

Eksperti i komunikacionit Nol Deda, thotë për mediase në Kosovë për fat të keq nuk ekziston Ligji i Sigurisë, por edhe ligji mbi rregullat në trafik që është në fuqi sipas tij duhet të ketë ndryshime të jashtëzakonshme.

“Për fat të keq Ligji i Sigurisë nuk ekziston, ekziston ligji mbi rregullat e trafikut dhe ligji mbi rregullat e trafikut që unë kam marr pjesë në dëgjimin publik thjesht 80% nuk i përket sigurisë dhe duhet të bëhen ndryshime të jashtëzakonshme. Grupi që ka punuar aty me sa unë kam informata ata nuk janë profesional dhe nuk merren fare me sigurinë rrugore”, ka thënë ai.

Ndërsa, deklaron se pavarësisht ndryshimit të ligjit, nuk do të ketë përmirësim të sigurisë në komunikacion.

“Do të thotë efekti i ndërrimit të ligjit mbi rregullat e trafikut fare nuk do të ketë ndikim në përmirësimin e sigurisë së komunikacionit rrugor”, është shprehur ndër të tjera Deda.

Sipas Dedajt, institucionet e vendit nuk kanë krijuar institutet përkatëse sa i përket marrjes së masave preventive për parandalimin e aksidenteve.

Ai, ka treguar edhe për masat që duhet t’i marrin institucionet e Kosovës.

“Masat preventive që duhet patjetër që me i marr institucionet tona duhet të krijojnë disa institucione përkatëse për hulumtimin e faktorëve që ndikojnë në aksidente në komunikacion, njëkohësisht dhe rekomandimet e atyre kështu që kjo është e vetmja formë që munden me i parandalu aksidentet në komunikacion rrugor”, ka shtuar eksperti Deda.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti ka deklaruar se parandalimi i aksidenteve do të ndodhte vetëm nëse vendosen radarët.

Kjo, për shkak se të njëjtit do të detektonin secilin person që bën shkelje të rregullave ë trafik.

“Ajo që i parandalon aksidentet është vendosja e radarëve dhe secilin që e detekton që kalon kufizimin e shpejtësisë, secilin qe e detekton që ka hyrë në dritën e kuqe pra secilin që e detekton që ka bë kundërvajtje e fotografon dhe e dënon. Rritja e gjobave normal që e zvogëlon numrin e të aksidentuarve, pastaj ti merr masa në ligj”, është shprehur ai.

Kurse, sa i përket paralajmërimeve për ndryshim të ligjit të rregullave në komunikacion, Ahmeti ka deklaruar se njëherë duhet të merren masa e pastaj të ndryshohet ligji.

“Unë nuk mendoj se është mungesë e ligjit, sa është mungesa e vullnetit për punë. Unë mendoj që më parë është dashtë me i përdor radarët mobil dhe statik edhe kamerat sesa me ndryshu ligjin. Pra, ti merr masat njëherë të cilat e përmirësojnë gjendjen e pastaj ndryshoje ligjin aty ku nevojittë. Tash ti ligjin e ndryshon me njerëz të njëjtë dhe ata nuk e zbatojnë”, ka shtuar ai.

Vetëm në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka shqiptuar 2034 gjoba ndaj personave që nuk kanë respektuar rregullat ne trafik/Njeshi&FO/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...