Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin menaxhues të Fondit të Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), Driton Hetemi, kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëfinancimi për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në tri ndërtesa-banesa sociale në Klinë.
Në një postim në Facebook, Komuna e Klinës ka njoftuar se kryetari Zenun Elezaj e ka theksuar rëndësinë e këtij investimi në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Klinës, duke përmendur se kjo ishte edhe ndër premtimet e bëra nga ai për qytetarët e Klinës.
“Investimi në ndërtesat banesore në Klinë, me qëllim të kursimit të energjisë dhe komforit në këto ndërtesa, ka qenë një nga synimet e premtimet që kam dhënë para qytetarëve. Andaj sot kemi bërë një hap të madh drejt përmbushjes së këtyre synimeve,” ka thënë Elezaj.
Sipas këtyre tre marrëveshjeve, masat e planifikuara për këto ndërtesa përfshijnë termoizolimi i mbështjellësit të ndërtesës dhe kulmit, zëvendësimi i dritareve dhe dyerve kryesore, instalimi i sistemit të ngrohjes me kondicionerë ajri për secilën njësi familjare, rinovimi i hyrjeve dhe instalimi i sistemit të interfonisë, masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit./Njeshi/