Partitë politike të cilat në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duan të garojnë si koalicione kanë afat deri në fund të këtij muaji që të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për GR se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Sipas tij, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen. Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.
“Gjithashtu, deri më 30 gusht 2024 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.”, ka thënë Elezi.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.
Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008./Njeshi&GR/