16.7 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Erdogan në takim me Kurtin: Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Në një postim në rrjetin social “X”, Kurti ka publikuar pamjet nga takimi teksa ka thënë se të hënën më 3 qershor do të mbahet forumi i bizneseve turke dhe kosovare. Ky forum, sipas tij, do të jetë mundësi për të thelluar lidhjet dhe investimet turke në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që Kurti takohet me presidentin turk, pas takimit të vitit 2023 në Stamboll.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se me presidentin turk kanë folur për raportet mes dy shteteve dhe për mundësitë e reja sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes. Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve.”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa Presidenti i Turqisë Erdogan në takim ka theksuar se janë fokusuar në rritjen e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në mbi një miliard dollarë, e cila momentalisht është afër 750 milionë dollarë, ndërsa ka potencial për të zhvilluar marrëdhëniet në shumë fusha, përfshirë në industrinë e mbrojtjes.

“Erdogan tha se mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës do të vazhdojë në çdo fushë, se priten hapa nga Kosova, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe se është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje. Presidenti Erdogan theksoi se duhet të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të përfunduar masakrat që i kryen në Gaza, të jepet mbështetje ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe se Palestina duhet të mbështetet në mënyrë aktive”, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës turke./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...