Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se pret fitore bindëse me numër rekord votash më 28 maj, kur do të mbahet balotazhi i zgjedhjeve presidenciale.
Ai i pyeti qytetarët nëpërmjet Twitterit se çka do të përfitonin nga kundërkandidati i tij, Kemal Kiliçdaroglu, që siç tha Erdogan, s’ka bërë asnjë të mirë në jetën e tij për Turqinë.
“A është e sigurt t’i besosh dikujt që rrëfeu me gojën e tij se kishte të bënte me anëtarët e FETO-s gjatë tentativës për grusht-shtet më 17-25 dhjetor? A mund të pritet që ata që premtojmë t’i lirojnë nga burgu nxitësit e ngjarjeve të 6-8 tetorit në sheshe, të luftojnë kundër organizatës separatiste? A mund t’i besohet moralit politik të atyre që e shohin çdo mjet legjitim, përfshirë shantazhin, kërcënimin, presionin, komplotet, për t’i likuiduar kundërshtarët e tyre”, shkroi presidenti Erdogan.
Ai theksoi se s’mund t’i besohet Kiliçdaroglut “që sot i thotë e zezë asaj që dje i tha e bardhë”.
Erdogan shtoi se populli e ka shpallur vullnetin e tij, duke i thënë shumicës së Kuvendit 323 deputetë në zgjedhjet e 14 majit.
“Në Presidencë me 49.5% të votave na favorizuan mbi 27 milionë qytetarë tanë. Shpresojmë që 28 majin ta përfundojmë me vullnetin dhe mbështetjen e kombit tonë të dashur, me një numër rekord votash”, shtoi ai.
Ditë më parë, kandidati për president, Kiliçdaroglu, zgjedhjet i quajti referendum, derisa tha se rezultati është i qartë.
“Këto nuk janë më zgjedhje, janë referendum. Rezultati i referendumit të kaluar është i qartë… Të dashur të rinj: montazhi dhe shpifjet janë kudo, duhet të luftojmë së bashku kundër kësaj marrëzie që unë të përhap mesazhin tim. Ndani videon time kudo! Tregojeni kudo! Le të vijnë te kutitë ata që e duan vendin e tyre”, shkroi ai. /Njeshi/