Që nga mëngjesi i ditës së sotme i gjithë vendi ynë është përballur me reshje shiu, dhe erëra të forta, mot ky i cili në disa qytete ka shkaktuar edhe dëme.
Si pasojë e këtyre erërave të forta në qytetin e Gjakovës janë dëmtuar edhe disa shenja të komunikacionit, të cilat janë hequr nga vendi i tyre dhe janë në prag të rrëzimit në tokë.
Me një problem të ngjashëm janë përballur edhe banorët e paralagjes Brekoc.
Ndërsa përveç dëmtimit të shenjave të komunikacionit dëme kanë pësuar edhe kulmet e disa shtëpive në rrugën “Musa Zajmi”, ku si pasojë e erës së fuqishme disa tjegulla kanë rënë në tokë, përkatësisht në pjesën e rrugës që është e dedikuar për qarkullimin e makinave, duke shkaktuar kështu edhe probleme për makinat që e shfrytëzojnë këtë rrugë për lëvizje.
Përveç dëmtimeve në infrastrukturë, disa fshatra të komunës së Gjakovës, si pasojë e motit të lig kanë mbetur pa energji elektrike me orë të tëra.
Një dëm i një shtylle elektrike është raportuar në fshatin Gërqinë të komunës së Gjakovës, ku si pasojë e dëmtimit të kësaj shtylle, disa banorë të kësaj zone janë përballur me mungesë të energjisë elektrike.
Ndërsa sipas disa parashikimeve që janë bërë rreth motit, pritet që moti në vendin tonë të kthjellohet gjatë ditës së diel./Njeshi&Telegrafi/