Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, është zgjedhur si “Artistja më e mirë ndërkombëtare” në Spanjë.
Lajmin e bëri të ditur vetë artistja përmes një postimi në Facebook.
“Një kënaqësi e veçantë që të zgjidhem ‘Artistja më e mirë ndërkombëtare’ nga Opera Spanjolle XXI, dhe të pranoj këtë çmim në Teatrin Zarzuela të Madridit mbrëmjen e kaluar (të martën, shën.red.)”, shkroi Jaho.
Ajo falënderoi jurinë dhe publikun spanjoll për vlerësimin.
“Ndihem e privilegjuar për dashurinë që Spanja më ka dhënë dhe më jep vazhdimisht. Shpresoj që puna ime të frymëzojë një brez të ri i cili të vazhdojë të përmirësojë botën me artin e vet”.
“Rroftë muzika, rroftë arti, rrofshin artistët”, përfundoi Ermonela Jaho./Njeshi/