21.5 C
Pec
E hënë, 5 Qershor, 2023

Erzen Bujupi – mjeku i suksesshëm shqiptar që s’i tha ‘Lamtumirë’ por ‘Mirupafshim’ Kosovës

Numri i shqiptarëve tashmë të inkuadruar plotësisht dhe integruar në komunitetet e vendeve të ndryshme, qofshin ato evropiane apo edhe përtej tyre, po rritet dita e ditës.

Një tjetër storie suksesi e shqiptarëve në Gjermani është mjeku Erzen Bujupi nga Peja e Kosovës, shkruan Katror.info.

Bujupi studimet universitare i ka nisur e përfunduar në Universitetin e Prishtinës për fushën e radiologjisë, dega e Mjekësisë, ndërsa ato post-diplomike në Universitetin e Hamburgut ku në vitin 2017 ka mbrojtur edhe tezën e Doktoraturës. Sot Erzeni ushtron profesionit e specialistit të radiologjisë në “St. Franziskus-Hospital”, në Ahlen të Gjermanisë.

Siç tregon Bujupi, kjo fushë profesionale në fillim s’ka qenë synimi i tij, por që ta ndërrojë mendimin ndikoi rrethi dhe shoqëria.

“Gjatë shkollës së mesme, nuk isha i interesuar për mjekësi, por dëshiroja të studioja Shkencat Politike apo Juridikun. Besoj që një ndikim të madh në “ndërrimin e mendimit” pati shoqëria, ku një pjesë e mirë e tyre vetëm kishin vendosur të studionin Mjekësinë. Ndërsa sa i përket Radiologjisë, ishte një zgjedhje e rastësishme”, rrëfen Bujupi.

Ai thotë se ndjehet me fat që gjatë rrugëtimin të studimeve dhe ndërtimit profesional u njoh me radiologun shqiptar Agron Lumanin, gjë që ia shtoi edhe më tepër pasionin për këtë fushë.

“Pata fatin që në Gjermani të gjejë punë në një nga klinikat më prestigjioze të radiologjisë në Gjermani tek radiologu eminent shqiptar Dr. Agron Lumiani dhe menjëherë u fascinova nga kjo degë e mjekësisë, që dorën në zemër sa isha student nuk kisha mundësi ta vlerësoj si duhet, si një degë mjaft e rëndësishme e mjekësisë moderne. Prej aty nuk iu kam ndarë dhe deri sot nuk jam penduar për zgjedhjen time”, tregon Bujupi.

Në pyetjen se sa ishte vendim i vështirë të zhvendosej nga Peja për në Gjermani, ai thotë se rrethanat shoqërore e ekonomike e detyruan ta konsideronte si opsion.

“Largimin nga Kosova nuk e kisha si opsion as gjatë studimeve e as pas përfundimit të tyre. Por pas gati dy vitesh si i papunë, i gjetur në një udhëkryq, pa e pasur një rrugëzgjidhje, vendosa të emigroj në Gjermani”, shton ndër të tjerash Bujupi.

Sfidat që secili shqiptar ballafaqohet kur vendos ta marrë rrugën e migrimit, i kaloi edhe Erzeni, megjithatë gjuha, kultura e mënyra e jetesës nuk u bë pengesë që ta arrijë titullin PhD në shoqërinë gjermane.

“Ambientimi nuk ishte aspak i lehtë, sigurisht që kisha vështirësitë e gjuhës, pastaj të kulturës e mënyrës tjetër të jetesës. Por kisha dhe fatin e madh që një vit e gjysmë siç e ceka dhe më herët, të punoj në klinikën e Dr. Agron Lumianit ku ai dhe familja e tij e po ashtu edhe punëtorë të tjerë shqiptarë në klinikë ma lehtësuan ambientimin”, tregon Bujupi për Katror.info.

Sipas tij studimet në Universitetin e Prishtinës krahasuar me ato në Universitetin e Hamburgut janë dy gjëra të ndryshme, teksa shton se në UP i kushtohet më shumë rëndësi aspektit teorik si dhe vlerëson se mjekët kosovarë për nga aspekti teorik mund të jenë ndër më të përgatiturit në Europë.

“Në Kosovë i kushtohet më shumë rëndësi pjesës teorike, ku besoj që në aspektin teorik mund të jemi ndër mjekët më të përgatitur në Evropë, por sigurisht duke u nisur edhe nga problemet financiare e logjistike, mungon praktika e mirëfilltë dhe bashkëkohore. Gjermania në anën tjetër si superfuqi botërorë financiare e mjekësore të ofron mundësitë e zhvillimit të vazhdueshëm, ku nëse dëshiron të avancohesh, i ke të gjitha mundësitë të hapura”, thotë ai.

Bashkëpunimin dhe komunikimin me mjekët tjerë shqiptarë në rajonet e Gjermanisë ua ka mundësuar krijimi i “Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani”, ndërsa sipas tij, puna e zellshme e shqiptarëve në shoqërinë gjermane ka bërë që sot pjesëtarë të komunitetit shqiptar të emërohen edhe në pozita të rëndësishme në spitalet dhe klinkat gjermane.

“Numri i mjekëve dhe në përgjithësi i komunitetit mjekësor në Gjermani është mjaft i madh. Tashmë ekziston edhe mundësia e komunikimit të komunitetit nëpërmjet të “Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani”. Përgatitja e mirë teorike dhe puna e zellshme e shumicës së mjekëve shqiptarë në Gjermani ka bërë që shumë prej tyre të kenë pozita të rëndësishme në spitalet dhe klinikat ku punojnë, dhe kjo është për t’u lavdëruar sepse kjo është meritë individuale por flet shumë edhe për kulturën dhe seriozitetin tonë të punës, për çka edhe vlerësohet mjaft nga kolegët gjermanë”, shton Bujupi.

Ndonëse ka 11 vite që ka migruar për në Gjermani, Bujupi largimin nga Kosova nuk e sheh si shkëputje, përkundrazi u bën thirrje atyre që largohen të kontribuojnë sa më shumë në vendlindje.

“Largimi nga Kosova nuk do të thotë medoemos “Lamtumirë” por për shumicën prej nesh është një “Mirupafshim”. Evropa apo edhe Amerika janë një mundësi e mirë e shkollimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm si mjek dhe individ dhe gjithsesi që një pjesë e këtyre mjekëve në një mënyrë apo tjetrën do t’i kontribuojnë Kosovës dhe shëndetësisë kosovare”, tregon ai.

Mesazhi i tij për të rinjët e të rejat kosovare që mendojnë ta studiojnë mjekësinë është që ta bëjnë me pasionin për ta ndihmuar njerëzimin.

“Cilido që dëshiron ta studiojë mjekësinë duhet ta kenë një gjë të qartë në zemrën dhe mendjen e tij. Mjekësia duhet të studiohet nga pasioni për të ndihmuar njeriun dhe njerëzimin, duke e vërë veten e ndonjëherë edhe familjen në rend të dytë. Ata që e duan famën ose pasurinë duhet të orientohen në drejtime të tjera jetësore”, përfundon Erzen Bujupi./Njeshi&Katror.info/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...