Pas takimit të djeshëm me pesë emisarët e huaj, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq tha se i është bërë e qartë se nëse nuk pranohet plani franko-gjerman, do të ketë pasoja.
Në lidhje me këtë çështje, ka folur emisari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimore, Gabriel Escobar.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se i gjithë rajoni do të përballet me pasoja.
“Nuk dua të paragjykoj diskutimet që zhvillohen në kuadër të dialogut. Por mund të them se diskutuam hollësisht se cilat janë pasojat për rajonin, nëse nuk ecet përpara, për rajonin që të ketë një plagë të hapur, të ketë një konflikt të ngrirë, që në fakt nuk është i ngrirë, për komunitetin, që duhet të jetojë nën në trysni, siç ndodhë në veriun e Kosovës, me bllokada, trysni dhe njerëz në ankth. Kjo është ajo për të cilën po flasim. Këtë duam ta zgjidhin në kuadër të dialogut. Mendoj se patëm një bisedë shumë të mirë, mendoj se të gjithë e kuptojmë sfidën e vazhdimit të situatës aktuale”, ka thënë Escobar.
Teksa foli për pritshmëritë e arritjes së një dakordimi, Escobar tha se do të donin të arrihej sa më shpejt të jetë e mundur, pa dhënë ndonjë kufizim.
Megjithatë, emisari Escobar shtoi se duhet lëvizur shpejt.
Escobar ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të arrihet përmes partnerëve, dhe se një person [Kurti] nuk mund ta shmang këtë obligim ligjor.
“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ai theksoi se qëllimi i Asociacionit është që veriu i Kosovës të bëhet më funskional.
Emisari amerikan shtoi se bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo të bëhet, dhe se po pret që edhe Kurti ta ketë të qartë këtë.
“Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha tutje Escobar.
“Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar”, theksoi ai ndër të tjera./Njeshi/