Siç raportoi ‘RADIO 1’ gjatë mbrëmjes, pas disa shqetësimeve shëndetësore, pasditën e sotme të 29 Janarit, ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare ish-Kryetari i Komunës së Pejës dhe avokati i njohur Ferid Gjikolli.
Ferid Gjikolli ka qenë Kryetari i fundit shqiptarë i komunës së Pejës, në vitet 1982-1987 kur edhe është larguar duke mos pranuar sistemin okupues të Serbisë, kur kjo e fundit më pas edhe i suprimoi Kosovës autonominë së vitit 1974 dhe rrjedhimisht edhe të gjitha institucionet vetqeverisëse të deriatëhershme brenda Jugosllavisë.
I ndjeri Ferid Gjikolli, mbahet mend si kryetari që në udhëkryqet e rënda të kohës, ja doli të rreshtohej drejt, në krah të popullatës shumicë shqiptare, duke mos u strukur nën tutelat e regjimit okupator serb që po e gllabëronte Kosovën.
E për vdekjen e tij ka reaguar, në një pronocim të mbrëmjes në ‘RADIO 1’, edhe ish-kryetari i parë i Pejës së lirë prof. Dr. Et’hem Çeku, i cili, për kontributin e të ndjerit Ferid Gjikolli, edhe gjatë kohës së luftës së UÇK-së e edhe në ngritjen e institucioneve të lira të pasluftës në Pejë ka folur në superlativ.
‘Peja sot e humbi një pishtar të saj të proceseve të rëndësishme. Për Feridin mund t♪7 flas me orë të tëra dhe kam çfarë të them, sepse ai kishte rol të rëndësishëm në periudha fort të rënda. Pak kush e di, ndoshta as familjet e tyre, por Ferid Gjikollin, bashkë me Riza Llukën, Ali Sylqen e Haxhi Lajqin i kam pasur me vete në vija të para të frontit. Kaq pra kanë bërë për luftën, duke vepruar edhe nga qyteti. Poashtu kanë qenë edhe në këshillin komunal të qytetit kur kemi ndërtu institucionet. Si Kryetar në vitet 80-ta ka qëndru vertikal dhe lavdi për atëherë e për mot. ’-deklaroi Et’hem Çeku në ‘RADIO 1’.
Ndryshe, në kohën e tij, ndër të rrallët në Jugosllavi, si 21 vjeçar, Ferid Gjikolli kishte kryer fakultetin Juridik ndërsa në moshën 22 vjeçare do dilte Gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Pejë.
I ndjeri Gjikolli, deri në muajt e fundit të jetës ka ushtruar edhe profesionin e avokatit, duke qenë dhe mbetur i njohur dhe autoritativ edhe në këtë sferë, në nivel të Kosovës.
I ndjeri, do të varroset nesër (E, Enjtën) më 30 Janar 2025, në ora 13:00 në varrezat e qytetit të lindjes në Pejë./Njeshi/
Ndërron jetë ish-kryetari i Pejës dhe avokati i njohur Ferid Gjikolli