15.2 C
Pec
E diel, 16 Mars, 2025

Et’hem Çeku: Zhvillimet e shpejta që po ndodhin në botë kërkojnë qasje të re të tërë shoqërisë shqiptare

Në një periudhë të zhvillimeve të shpejta dhe të rrebta globale, kur administrata e re amerikane Trump, duket se po vë rendin e ri botëror, raportet ndërshqiptare duket se nuk kanë qenë asnjëherë në një pikë aq të ulët. Kjo,veçanërisht në Kosovë, kur subjektet politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kanë thelluar edhe më tej hendekun e ndarjeve.

Në këtë realitet, Prof. dr. Ethem Çeku – prej bashkëthemeluesve të AAK-së, Prefekt i parë i Pejës së lirë, Ministër në disa Qeveri të pasluftës në Kosovë dhe dekan për vite i Fakultetit të Edukimit ka bërë thirrje për reflektim të tërë shoqërisë shqiptare.

‘Të gjithë e kemi për detyrë të punojmë për Kosovën, me sinqeritet dhe të bashkuar, sepse atdheu është i të gjithëve dhe askush nuk ka monopol mbi të. Çdo përpjekje e sinqertë për një të ardhme më të ndritur duhet të vlerësohet, jo të pengohet.’-shkruan mes tjerash Çeku.

Postimi i plotë:

Koha për reflektim!

Zhvillimet e shpejta që po ndodhin në botë kërkojnë një qasje të re të tërë shoqërisë shqiptare.

Në këtë botë globalizimi, kombi ynë duhet të jetë pjesë e zhvillimeve të mëdha. Edhe pse në disa fusha kemi humbur hapin me kohën, e ardhmja është ende në duart tona. Asgjë nuk kthehet pas, por gjithçka mund të ndërtohet me vizion, dije dhe përkushtim pa dalë nga rruga e misionit.

T’i shërbesh atdheut nuk është privilegj, por është detyrë që kërkon punë, sakrificë dhe shumë dije.

Të gjithë e kemi për detyrë të punojmë për Kosovën, me sinqeritet dhe të bashkuar, sepse atdheu është i të gjithëve dhe askush nuk ka monopol mbi të. Çdo përpjekje e sinqertë për një të ardhme më të ndritur duhet të vlerësohet, jo të pengohet.

Sa vajza dhe djem të shkëlqyer kemi në Kembrixh e në Oksford dhe në universitetet më të mira të botës! Sa miq kemi fituar gjatë historisë që na kanë ndihmuar! Le t’i ftojmë ata që duan t’i shërbejnë vendit dhe të hapim dyert për kontributin e tyre.

Kosova ka nevojë për një shoqëri moderne dhe të avancuar, që mbron interesat e saj me mençuri dhe vizion. Nuk mund të ndërtojmë një të ardhme mbi urrejtje dhe forcë – na duhet pluralizëm i qytetëruar, respekt dhe vlera të ndërsjella.

Prandaj le të reflektojmë për hir të dëshmorëve dhe sakrificave të mëdha që ka bërë kombi ynë. E ardhmja ndërtohet sot!’-ka shkruar Ethem Çeku./Njeshi&RADIO 1/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...