Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paralajmëruar se Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas AKK-së, komunat me miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës do humbasin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i tij pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij kushtetues”, njofton AKK-ja.
Në këtë reagim thuhet se ky ligj ka ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e të hyrave të komunës, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake.
“AKK-ja edhe në këtë rast ka kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të ketë debat dhe konsultime me komunat sa i përket këtij projektligji sepse ka të bëj me autonominë financiare të komunave dhe i cili ligj ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet e tyre e së këndejmi edhe në projektet kapitale sepse Tatimi në Pronë është e hyrë vetanake e Komunave. As Parlamenti i Kosovës nuk e diskutoj këtë projektligj me Komunat dhe më procedura të përshpejtuara e miratoi edhe në lexim të dytë”, vijon reagimi.