Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka ndarë emocionin e një momenti të veçantë: dorëzimin e çelësave të shtëpive për familjet që për më shumë se 20 vjet nuk kanë pasur mundësi të kthehen në pronat e tyre.
Në një postim, ministri ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm për të adresuar një histori të dhimbshme që ka prekur mijëra familje në veri të Kosovës, shumë prej të cilave u larguan me dhunë pas përfundimit të luftës.
“Ky projekt, i cili ka vlerën rreth 1.5 milion euro, ka ndihmuar 25 familje me 21 rindërtime dhe 4 renovime. Deri më tani kemi ndërtuar 23 shtëpi dhe 2 janë në proces përfundimi.
Për vitin 2025, synojmë të vazhdojmë me ndërtimin dhe kthimin e të gjithë qytetarëve në pronat dhe shtëpitë e tyre pa dallim,” shkroi Aliu.
Projekti “Ndërtimi dhe Renovimi i Shtëpive në Veri” përfaqëson përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të garantuar të drejtën e qytetarëve për të jetuar të lirë dhe të sigurt në pronat e tyre, duke promovuar bashkëjetesën pa pengesa në Kosovën multietnike./Njeshi/