21.2 C
Pec
E hënë, 20 Shtator, 2021

Feronikeli fitoi me rezultat komod ndaj Llapit, Gjilani dhe Dukagjini u ndanë në paqe

Feronikeli ka fituar 2-0 në udhëtim te Llapi në kuadër të javës së tretë në BKT Superligën e Kosovës.

Derisa, Gjilani dhe Dukagjini i kanë ndarë pikët në kuadër të javës së tretë në BKT Superligën e Kosovës.

Llapjanët e filluan më mirë takimin, duke sulmuar nga minuta e parë, derisa në të 20-në menduan se kishin fituar një penallti.

Por, pas konsultimit të gjyqtarit me VAR-in, u bë e ditur se aty nuk kishte 11 metërsh dhe ndeshja vazhdoi.

Pas vetëm dy minutash nga kjo situatë, ndeshja u ndërpre për disa minuta, pasi kishte shumë tifozë në tribuna dhe kërkohej largimi i tyre për shkak të rregullave anti-COVID.

Gjyqtari më pas dha tetë minuta lojë shtesë, e që Nikli kishte mundësi të shënonte golin e parë të takimit.

Në minutën e 45+2, Dren Gashi kaloi në epërsi skuadrën nga Drenasi, për të shkuar kështu në pushimin e pjesës së parë me epërsi.

Për dallim në 45 minutat e parë, e dyta filloi më mirë për mysafirët, që shënuan edhe të dytin.

Ishte Diar Prokshi që realizoi golin e dytë për Feronkielin në minutën e 64-të.

Nikli arriti që të krijonte edhe raste të tjera, mirëpo u mungoi konretizimi, por që siguruan tre pikë.

Pas javës së tretë, Feronikeli është në vendin e gjashtë me tre pikë, gjersa Llapi në të tetin me dy sosh.

Takimi i zhvilluar në Gjilan përfundoi pa gola, por rastet nuk munguan për asnjërën palë.

Ishte minuta e tetë kur Shala i vendasve tentoi me një gjuajtje nga distanca, mirëpo top përfundoi mbi portë.

Dy raste të njëpasnjëshme ishin më pas për Dukagjinin, por Enda Koliqi në njërin rast doli fitimtar, ndërsa në tjetrin mungoi efikasiteti i anëtarit të skuadrës nga Klina.

Në 45 minutat e dytë, sërish Dukagjini kishte mundësitë më të mira, por gardiani i Gjilanit u tregua i vëmendshëm.

Në minutën e 74-të, Mulaj ishte përballë me Koliqin, mirëpo anëtari i mysafirëve gjuajti jashtë portë.

Në minutat e mbetur, Dukagjini mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, pasi Bujar Shabani u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 90+1.

Pas javës së tretë, Gjilani është në vendin e katërt me pesë pikë, derisa Dukagjini gjendet në të shtatin me dy sosh. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...