Edon Zhegrova ka qenë mbrëmë fantastik kundër Real Madridit, të cilin me shokët e tij të Lillet e mposhtën me rezultat 1:0, në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
E këtë paraqitje të shkëlqyeshme të yllit kosovar e ka përshëndetur tek sot Federata e Futbollit të Kosovës, më shumë se 12 orë pas përfundimit të ndeshjes.
Shtëpia e futbollit kosovar erdhi me një postim për 25 vjeçarin në faqen e saj zyrtare në Facebook, duke i përmendur edhe statistikat e tij të detajuara, shkruan “Gazeta Express”.
Kujtojmë se “Messi i Kosovës” ishte përjashtuar nga Kombëtarja për ndeshjen me Qipron në muajin e kaluar me arsyetimin e FFK-së se lojtari i kishte thyer rregullat duke dalë nga kampi pa marrë leje.
Federata kishte thënë se vendimin e kishte marrë selektori Franco Foda, kurse vetë lojtari ditë më parë tha se më së shumti ndihet keq që vendimin e ka marrë FFK-ja e jo trajneri.
Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse ish-futbollisti i Baselit do të jetë pjesë e Dardanëve për dy sfidat e tetorit, ndaj Lituanisë dhe kundër Qipros, në kuadër të Ligës së Kombeve. /Njeshi/