f
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, në konferencë të përbashkët me homologen e tij në Kosovë, Donika Gërvalla, u shpreh se në Prishtinë ndihet si në shtëpinë e tij.
Teksa ka treguar se gjatë takimit me Gërvallën kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Ballkan, Fidan ka thënë se populli i Kosovës s’është vetëm mik i Turqisë, por i ka konsideruar si vllezër e motra të tyre.
Njëherit, homologu turk ka potencuar se Turqia që nga fillimi ka mbështetur Kosovën për të arritur në arenën ndërkombëtare, derisa ka afirmuar se mbështetja e tyre do të vazhdojë tutje
“Dua ta shpreh kënaqësinë time që ndodhem në Prishtinë, dhe në të vërtetë veten e ndiej si në shtëpi. Folëm për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe se çfarë mund të bëhet për arritjen e stabilitetit në rajon. Ne si Turqi mbështesim Republikën e Pavarur të Kosovës dhe vlerësojmë se ajo të qëndrojë në këmbët e saja. Ne kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për ta arritur pozitën e saj të merituar në arenën ndërkombëtare, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë. Forcat e NATO-s dhe KFOR-it kanë rol të rëndësishëm në Kosovë në vendosjen e sigurisë. Është krenari që shohim komandantin tonë që vazhdon të ketë suksese këtu në Kosovë”, ka deklaruar Fidan.
Tutje, ai ka deklaruar se Turqia ka për qëllim të sjellë një vision gjithëpërfshirës në marrëdhëniet me Kosovën.
“Qëllimi ynë është të sjellim një vizion gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona, sigurinë, politikën dhe ekonominë i konsiderojmë tri shtylla kryesore të bashkëpunimit tonë”, ka thënë Fidan.
Po ashtu, homologu turk ka thënë se lidhja mes Kosovës dhe Turqisë duhet të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndërkohë, gjatë ditës ministri turk do të pritet edhe nga presidentja e Republikës,Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.