Kaja Kallas e cila do ta zëvendësojë Josep Borellin në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka mbajtur sot një fjalë hyrëse përpara Parlamentit Evropian në seancën dëgjimore për konfirmimin e saj në një prej pozitave kyçe të BE-së.
Në fjalën e saj, Kallas nuk e ka përmendur fare procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që Ballkani Perëndimor përmendet vetëm një herë në mbi 12 minuta fjalim të saj përpara eurodeputetëve të Parlamentit Evropian.
Kallas e përmend Ballkanin Perëndimor në kontekst të fuqisë së BE-së dhe procesit të zgjerimit si një qasje gjeostrategjike e Bashkimit Evropian.
“Për shumicën e fqinjëve tanë, Bashkimi Evropian ka një fuqi të fortë tërheqëse. Nga Ballkani Perëndimor në Ukrainë. Siç tha një votuese teksa u largua nga qendra e votimit muajin e kaluar në Moldavi, Evropa ofron një jetë me zgjedhje. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik që është në zonat evropiane, në interes të vetë Bashkimit Evropian. Kjo e bën bashkimin tonë më të fortë. Kjo i bën anëtarët e rinj të familjes evropiane më të qëndrueshme dhe më të sigurt. Dhe kjo na bën të gjithëve të përparojmë. Në pesë vitet e ardhshme. Këtu na duhen rezultate të qarta.Do të punoja krah për krah me Komisionerin për Zgjerimin për të arritur këtë qëllim. Po kështu, do të punoja së bashku me Komisionerin për Mesdheun, me paketën e dedikuar për rajonin”, ka thënë Kallas në fjalën e saj hyrëse.
Për këtë ka reaguar edhe gazetari i Radios Evropa e Lirë me seli në Bruksel, Rikard Jozëiak, duke thënë se e ka bërë kurioz fakti që Kallas në fjalën e saj hyrëse para deputetëve s’ka përmendur në veçanti diçka rreth Ballkanit Perëndimor dhe asgjë sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është një prej problemeve që Kallas do të duhet të merret në rast të konfirmimit të saj nga Parlamenti Evropain si pasuese e Josep Borell. Më herët ka pasur raportime se ajo do të merret vetë me procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe që s’do të emërojë fare emisar special.
Emri i saj është konsideruar si një lajm i mirë për Kosovën, meqë deri tani me dialogun kanë udhëhequr Borell dhe Lajcak, që vijnë nga dy shtete mosnjohëse.//Njeshi&T7/