Nën intonimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje filloi mbledhja komemorative për të nderuar figurën e tashmë të ndjerit, babait të ish presidentit, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçit.
Djali i Hashim Thaçit, Endriti, ka mbajtë një fjalim emocionues në këtë mbledhje komemorative për gjyshin e tij, Haxhi Thaçin.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin”, tha ai.
Ai po ashtu tha se vdekjen e shpejtë të gjyshit e pa në fytyrën e babait kur doli nga spitali.
“Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë. Me vdekë pa u koritë, siç thoshte ai. Gjysh, as sot nuk jemi korit. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’ia gjuajë një grusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, tha Endriti.
E pranishme ishte dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në fjalën e saj përmendi mungesën e ish presidentit, Hashim Thaçit në varrimin e babait të tij.
“I nderuar Hashim që na mungon në përcjelljen e babait tënd, sepse padrejtësitë politike e kombëtare të burgosjes tënde e luftëtarëve të tjerë sot iu shtua edhe një padrejtësi njerëzore e morale. Haxhi Thaçi është shembulli se si një njëri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur urtësia, njerëzillëku, ndershmëria, lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm shumëfishohen, ndriçojnë në përkushtimin dhe sakrificat për atdheun, kombin dhe njerëzit”, ka thënë Spiropali.
Edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka ndarë një mesazh prekës për të ndjerin dhe momentet e fundit të tij.
“Në këto çaste pikëllimi për familjen Thaçi teksa do të përcillet për në banesën e tij të fundit bashkë-ndjejmë dhimbje me nënën Hyrë dhe presidentin Thaçi, djemtë e vajzat e bacit Haxhi. U përshëndetëm me përqafim të ndarë, bashkë me mallin që kishim për Hashimin dhe Burojën. Fatkeqësisht, ai atë ditë u rikthye të luftojë me vdekjen, por nuk u dorëzua. Rezistoi deri sa shuajti mallin për ta parë djalin. Pa djalin, i shtrëngoi dorën fort dhe mbylli sytë, i lehtësuar përgjithmonë, për t’u rikthyer sot dhe për ta shuajtuar mallin tjetër, Burojën, me ajrin e pastër, lulet e bukura, në mesin e qindra e mijëra krushqve të lirisë”, tha Nura./Njeshi/