Në aksidentin që ndodhi pasditen e së shtunës në fshatin Shtupeq i madh – Rugovё, humbi jetën tragjikisht 41-vjeçari, Dritëro Krasniqi, kurse një person tjetër mbeti i lënduar. Ky i fundit tashmë është arrestuar, pasi sipas Policisë dyshohet se e shkaktoi aksidentin dhe fillimisht kishte deklaruar se nuk ishte shofer.
Lidhur me rastin, për Gazetën Sinjali ka folur Asdren Mekaj, avokati i të dyshuarit, Alban Muriqit.
Mekaj tha se klienti i tij i ka kontribuuar zbardhjes të së vërtetës dhe e ka rrëfyer gjithë ngjarjen në Polici.
“Është një rast tragjik që ka tronditë secilin, që ka goditë dy familje dhe ka thyer shpirtërisht e lënduar përjetësisht edhe klientin tim.
Ndonëse i thyer e i lënduar pafund, klienti im i ka kontribuuar zbardhjes së të vërtetës, ka rrëfyer ngjarjen dhe ka sqaruar edhe rolin e tij në polici. Tani u mbetet organeve të drejtësisë të vendosin për më tutje.” – tha ai.
Ndryshe, Policia Rajonale në Pejë përmes një njoftimi bëri të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Fillimisht sipas deklarimit tё personit tё lënduar vozitёs ishte viktima e aksidentit, pas hetimit nga hetuesit e NJRKRR-DRP Pejё, me datё 04.08.2024 gjatё intervistimit ёshtё konstatuar se vozitёs ishte personi i lënduar tani i dyshuar pёr kёtё aksident. Pas intervistimit nga hetuesit i dyshuari me urdhёr tё prokurorit tё shtetit dёrgohet nё mbajtje pёr 48- orё.” /Njeshi/