14 C
Pec
E hënë, 19 Maj, 2025

Forcat izraelite do t’i rrëzojnë mbi 100 shtëpi në Bregun e uzurpuar Perëndimor, thotë guvernatori

Forcat izraelite janë duke u përgatitur për të rrëzuar shtëpi në dy kampe refugjatësh në veri të Bregut Perëndimor, i cili është i uzurpuar nga Izraeli.

Kështu thanë guvernatori i njërit prej kampeve dhe Associated Press, agjencia e lajmeve që i ka parë dokumentet ushtarake izraelite.

Abdallah Kamil, guvernatori i Tulkaremit, shkroi në Facebook të enjten se ushtria po përgatitej t’i shembte 116 shtëpi në kampet e refugjatëve Tulkarem dhe Nur Shams, të cilat janë dy nga shënjestrat kryesore të bastisjeve izraelite në veri të Bregut Perëndimor.

Ushtria izraelite deklaroi se po zbaton ndryshime në kampe, “për ta përmirësuar lëvizjen për ushtarët” dhe për ta parandaluar militantizmin.

Ushtria tha se ka bërë përpjekje për ta ulur sa më shumë numrin e shtëpive që do të rrëzohen dhe u bëri thirrje qytetarëve “t’i kontaktojnë autoritetet për t’i shqyrtuar mundësitë për t’i marrë gjësendet e tyre nga shtëpitë”.

Dy urdhra për shembjen e shtëpive tregonin se ato do të rrëzohen brenda 24 orëve, sipas dokumenteve ushtarake të ndara me Associated Press nga një zyrtar i OKB-së në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Lajmi bëri që banorët e kampeve tashmë të evakuuara Nur Shams dhe Tulkarem të nxitojnë për t’u kthyer dhe për t’i marrë gjësendet e tyre para se shtëpitë e tyre të shkatërroheshin.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRËA, tha se kishte raportime se forcat izraelite arrestonin dhe shtinin me armë në shenjë paralajmërimi ndaj palestinezëve gjatë asaj kohe.

Ushtria izraelite ka qenë duke zhvilluar një operacion në Bregun Perëndimor gjatë disa muajve të fundit, që në kulmin e saj zhvendosi afërsisht 40.000 palestinezë.

Operacioni ka zbrazur dhe shkatërruar në masë disa kampe refugjatësh në veri të Bregut Perëndimor, si Tulkarem dhe Nur Shams, ku jetonin pasardhësit e palestinezëve që u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre në luftërat e mëparshme./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...