Zebrat e padukshme në disa vende po rrisin rrezikun e aksidenteve dhe goditjeve të këmbësorëve. Qytetarët ankohen se vijat e bardha janë të fshira dhe shpesh janë të padallueshme. Ekspertët e komunikacionit theksojnë se mirëmbajtja e zebrave është thelbësore, pasi mungesa e sinjalizimit të qartë, mund të kontribuojë në ndodhin e aksidenteve. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, 15 këmbësorë kanë humbur jetën dhe afro 600 të tjerë janë lënduar, nga muaji janar deri në korrik të këtij viti.
Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi thotë se zebrat duhet të jenë të dukshme dhe të mirëmbajtura, ngase fshierja e tyre mund të shkaktojnë aksidente me fatalitet.
Krasniqi thekson se mungesa e dukshmërisë së vijave të bardha është e rrezikshme, pasi njerëzit, kur nuk janë të ndaluar nga pengesa fizike, priren të kalojnë në anën tjetër të rrugës.
“Sikurse shenjat e tjera të trafikut ose sinjalizimi në përgjithësi, edhe zebrat apo vendkalimi i shënuar për këmbësorë në terminologjinë profesionale duhet të jetë i dukshëm dhe duhet të jetë i mirëmbajtur. Mirëpo, jo gjithmonë janë të mirëmbajtura, jo gjithmonë janë të dukshme. Mirëpo, në shumicën e rasteve e kemi sinjalizimin vertikal që në rast se nuk shihen këto vendkalimet për këmbësorët…Kjo do të duhej t’i takonte mirëmbajtjes periodike që krahas mirëmbajtjes së shenjave të tjera të trafikut, në atë grup edhe mirëmbajtja e sinjalizimit, në këtë rast vendkalimit për këmbësorë. Natyrisht, që nëse nuk duken këto është e rrezikshme sepse njerëzit janë të prirur që në afërsinë më të afërt të kalojnë në anën tjetër të rrugës nëse nuk kanë pengesa fizike. Është një dukuri shumë e rrezikshme, shpeshherë edhe aksidentet ndodhin dhe mund të jenë edhe me fatalitet”, thekson Krasniqi.
Edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti thotë se zebrat duhet të pastrohen dhe se ngjyrosja e tyre duhet të bëhet me material kualitativ.
Ahmeti thekson se sinjalizimi horizontal duhet të jetë sa më i dukshëm, sepse e kundërta mund të pasohet me aksidente.
“Problematika qëndron sidomos në Prishtinë, qyteti është shumë i pa pastër, ka shumë faktorë që e bënë pa pastërtinë e qytetit. Një ndër to është edhe vetë Obiliqi, pastaj gomat e shkelin zebrën dhe zebra nxihet. Kur bien shi, pas shiut zebra e merr shkëlqimin, gjë që ish dashur të pastrohen rrugët e qytetit të Prishtinës…Ngarkohet me mbeturina, pluhur, ngarkohet, ngarkohet dhe kësisoj fshihen…03:41 Kontrollen të cilën e bënë Komuna e Prishtinës dhe ministria operatorëve ekonomik e bënë shumë të dobët. Duhet shkuar kontrolluar ngjyrën në bazë…Ne duhet të jemi sa më të dukshëm në komunikacion, thënë ndryshe sinjalizmi horizontal në këtë rast, duhet të jetë sa më i dukshëm, sa më i vërejtur. Mungesa e kësaj mund të shkaktojë edhe aksident”, thotë Ahmeti.
Statistikat nga Policia e Kosovës thonë se gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2024, nga mbi 12 mijë aksidente në trafikun rrugor, 15 këmbësorë e kanë humbur jetën. Derisa këta muaj janë lënduar afro 600 këmbësorë.
“Gjatë periudhës kohore janar-korrik 2024 nga gjithsejtë 12,507 aksidente në trafikun rrugor, prej tyre jetën e kanë humbur 15 këmbësorë apo 28.8 %, 29 shoferë apo 55.7 %, 8 pasagjerë apo 15.3%, e po ashtu janë lënduar 573 këmbësorë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës./Njeshi&kp/