FSK njofton se Komanda e Forcave Tokësore (KFT), në kuadër të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë (R3K), ka realizuar me sukses ushtrimin fushor “Arrow Bravo 25”. Ky ushtrim ka pasur si qëllim vlerësimin dhe validimin e aftësive të Kompanisë së Shtabit dhe Kompanisë B për realizimin e detyrave esenciale që lidhen me zbatimin e misionit të tyre.
Gjatë ushtrimit, kompanitë kanë realizuar operacione të ndryshme, duke përfshirë sulme, mbrojtje dhe operacione stabilizimi. Këto operacione janë planifikuar dhe simuluar nga kontrolli i UF, duke mundësuar që trupa të përballen me situata sa më reale dhe të testohen në aftësitë e komandimit, vendimmarrjes në kushte stresi, dhe bashkëpunimit mes strukturave të ndryshme ushtarake.
“‘Arrow Bravo 25’ ka patur për qëllim përgatitjen dhe koordinimin e trupa dhe ngritjen e kapaciteteve taktike dhe operacionale të pjesëmarrësve. Ky ushtrim kontribuon në forcimin e ndërveprueshmërisë dhe reagimit të shpejtë në situata të ndryshme, të cilat kërkojnë sigurimin dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së./Njeshi/