8.8 C
Pec
E premte, 16 Maj, 2025

GAP: Rreth 30% e të rinjve mes moshës 15-24 vjeç nuk janë në arsim, punësim as në trajnim

Instituti GAP ka publikuar një raport, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, ku ndër tjerash flitet edhe për të rinjtë dhe tregun e punës.

Në raport vlerësohet ‘‘karakteristikë shqetësuese’’ statistika që rreth 30% e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk janë në arsim, punësim ose trajnim

‘‘Rritje e pjesëmarrjes së të rinjve në tregun e punës

Një karakteristikë tjetër shqetësuese e tregut të punës në Kosovë është niveli i lartë i të rinjve jashtë punës. Rreth 30% e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk janë në arsim, punësim ose trajnim (NEET).45 Kosova ka normën më të lartë të pjesëmarrjes NEET krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky nivel tejkalon mesataren në shtetet e BE-së me mbi 20% (Tabela 2 në Shtojca). Kjo kategori përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rinore dhe përfaqëson një sfidë serioze për zhvillimin ekonomik të vendit. Për të adresuar këtë çështje, nevojiten politika efektive që promovojnë aktivizimin e të rinjve në tregun e punës dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre profesional’’, thuhet në raport.

Tutje shtohet se trajnimet mund t’u mundësojë këtyre personave në mënyrë që të bëjnë kalimin nga jo-aktiviteti në punësim direkt

‘‘Shumë persona që i përkasin kategorisë NEET nuk kanë aftësitë dhe kualifikimet e nevojshme për të hyrë në tregun e punës. Programet e trajnimit profesional, të fokusuara në aftësitë që kërkohen nga sektorët me kërkesë të lartë, janë thelbësore. Përvoja praktike shpesh është një pengesë për personat, pjesë e NEET, dhe lidhja e tyre me mundësi praktike si punët praktike profesionale dhe stazhet në kompani lokale mund t›i ndihmojë ata të fitojnë eksperiencë të vlefshme pune. Trajnimet mund t’u mundësojë personave në NEET kalimin nga jo-aktiviteti në punësim direkt. Për të inkurajuar kompanitë të punësojnë këta persona, qeveria dhe autoritetet lokale duhet vazhdojnë të ofrojnë stimuj për bizneset që punësojne të rinj që janë jo-aktivë në tregun e punës’’, shtohet aty.

Po ashtu, në raport zgjerimi i mundësive për mësim përmes punës do të ndikonte pozitivisht në përshtatjen e aftësive të individëve me kërkesat e tregut të punës.

‘‘Zgjerimi i mundësive për mësim përmes punës do të ndikonte pozitivisht në përshtatjen e aftësive të individëve me kërkesat e tregut të punës, duke kontribuar në zvogëlimin gradual të hendekut midis aftësive të individëve dhe nevojave të tregut për punë. NEET janë burim për ekonominë dhe mungesa e investimit në trajnime të tyre mund të rezultojë në kapital të humbur per tregun vendor të punës’’, thuhet në raport.

Në raportin e GAP, kërkohet të ketë përshtatje të pagave dhe ofrim të kushteve të favorshme të punës në mënyrë që qytetarët të vazhdojnë të japin kontribut në Kosovë.

‘‘Kosova ka kohë që po përballet me të ashtuquajturën ‘ikjen e trurit’, fenomen i cili po ndikon në largimin e punonjësve nga sektorët kyç si shëndetësia, edukimi dhe TIK, duke shkaktuar mungesë të profesionistëve në këto fusha. Për shembull, numri i qytetarëve të Kosovës të punësuar në sektorin e informimit dhe komunikimit në Gjermani është rritur mesatarisht 16% viteve të fundit, ndërsa paga mesatare është rreth 1.5 herë më e lartë se në Kosovë pasi përshtatet me koston e jetesës. Adresimi i këtij fenomeni kërkon përshtatje të pagave dhe ofrim të kushteve më të favorshme të punës në Kosovë, në mënyrë që profesionistët të vazhdojnë kontributin e tyre brenda vendit. Po ashtu, është e domosdoshme të ofrohen udhëzime dhe nxitje për të rinjtë, të cilët duhet të orientohen në profesionet që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe janë thelbësore për mirëqenien afatgjatë të vendit’’, thuhet në raport.

Tutje, shtohet se, kjo dukuri do të ndikojë në mungesë të fuqisë punëtore, sidomos në sektorë kyç.

‘‘Dukuria e emigrimit do të ndikojë në një mungesë të ndjeshme të fuqisë punëtore në vitet në vijim, sidomos në sektorë kyç dhe me produktivitet të lartë në ekonominë e vendit. Sipas të dhënave, nga gjithsej popullsia e cila i takon moshës së punës, 43% janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 57% mbeten jo-aktivë, me gratë që përbëjnë 66% të kësaj kategorie’’, shtohet në raport.

Po ashtu, nga GAP theksohet se Kosova duhet të ndërmarrë masa strategjike për të fuqizuar tregun e punës.

‘‘Përballë këtyre sfidave, Kosova duhet të ndërmarrë masa strategjike për të fuqizuar tregun e punës. Në veçanti, Kosova duhet të përqendrohet në mobilizimin e fuqisë punëtore brenda vendit. Prioritetet kryesore përfshijnë integrimin më të madh të grave në aktivitetet ekonomike, përmes eliminimit të barrierave që pengojnë pjesëmarrjen e tyre, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme për përfshirjen e tyre në sektorë me mungesë të fuqisë punëtore. Po ashtu, të rinjtë duhet të trajnohen në përputhje me nevojat e tregut të punës,

duke investuar në edukim dhe programe trajnimi që i përgatisin për sektorë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik afatgjatë. Një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet sektorëve me potencial të lartë për rritje, si teknologjia dhe energjia, që mund të luajë një rol kyç në transformimin e tregut të punës në Kosovë. Duke zbatuar këto reforma, Kosova ka mundësinë të lehtësojë sfidat aktuale dhe të ndërtojë një ekonomi gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme’’, përfundohet në raport. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...