3.2 C
Pec
E shtunë, 20 Prill, 2024

Gara më prestigjioze e matematikës për vajza do të mbahet në Kosovë, Kurti jep detaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në prillin e vitit të ardhshëm do të mbahet Olimpiada Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2025.

Kurti një gjë të tillë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, duke thënë se pjesëmarrës do jenë rreth 60 shtete. Ai ka publikuar edhe logon zyrtare të evenimentit.

“Viti 2025 do të jetë viti i matematikës në Kosovë. Kjo do të jetë logoja zyrtare e Olimpiadës Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2025, e cila do të organizohet në Kosovë prej datës 11 prill 2025 deri më datën 17 prill 2025”, ka shkruar ai.

“EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj. Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë”.

“E falënderojmë komunitetin e matematikanëve shqiptarë, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe të gjitha organizatat e tjera për angazhimin e tyre të pandërprerë në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë. Puna e tyre ka ndikuar thellësisht në avancimin e matematikës në Kosovë, duke ofruar mundësi dhe mbështetje profesionale të rinjve tanë për t’i shfaqur talentet e tyre matematikore në organizimet më prestigjoze ndërkombëtare”, shkroi Kurti.

Sipas tij, EMGO 2025 do të organizohet me mbështetjen e Qeverisë dhe donatorëve vendorë e ndërkombëtarë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...