Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka reaguar ndaj mënyrës së raportimit mediatik lidhur me gërmimet që po zhvillohen në Burgun e Dubravës, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe shqetësuese.
“Nuk janë përmbajtjet ato që shqetësojnë, por mënyra e trajtimit publik dhe krijimi i shqetësimit të panevojshëm”, tha Hoti në një deklaratë publike.
Ai theksoi se në vend të “glorifikimit mediatik”, vendi ka nevojë për “rezultate konkrete”.
Duke folur në cilësinë e kryesuesit të Komisionit, Hoti nënvizoi se gërmimi i një lokacioni nuk përbën lajm në vetvete, por gjetja e mbetjeve mortore apo provave relevante është ajo që duhet të komunikohen.
“Familjet e personave të zhdukur nuk kanë nevojë të tronditen dhjetëra herë nga tituj bombastikë, por të informohen saktësisht dhe në kohë, vetëm kur ka të dhëna të verifikuara”, shtoi ai.
Ai kujtoi se Kosova ka ndërmarrë mbi 2,800 gërmime në lokacione të ndryshme ndër vite në përpjekje për të gjetur personat e zhdukur, proces të cilin e quajti “serioz, të ndjeshëm dhe të dhimbshëm për familjarët”.
Sipas tij, krijimi i ankthit dhe pritshmërive të kota është i dëmshëm dhe i papranueshëm.
Hoti kërkoi nga mediat që të shmangin publikimet e parakohshme dhe senzacionaliste, duke i ftuar që të respektojnë dinjitetin e familjeve të të zhdukurve dhe të presin informatat zyrtare nga Komisioni.
Në të njëjtën linjë, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, z. Gara, ka deklaruar se lokacioni në Burgun e Dubravës është i dhjeti që po trajtohet në kuadër të gërmimeve vlerësuese vetëm gjatë këtij viti.
“Vetëm përmes kanaleve zyrtare të Komisionit do të jepen informatat e verifikuara, dhe vetëm ashtu do të ruajmë besimin, seriozitetin dhe dinjitetin e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme për shoqërinë tonë”, përfundoi Hoti./Njeshi/