Rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Polonisë pas mbajtjes disa javë më parë të Forumit Ekonomik në Poloni, dhe bashkëpunimi i ngushtë në çështjet e sigurisë rajonale dhe integrimit euroatlantik, ishin thekset e bisedës mes ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radosław Sikorski.
Takimi u mbajt në margjinat e Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.
Takimi vuri në pah marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Polonisë, duke u përqendruar në përkushtimin e përbashkët të të dy vendeve ndaj vlerave evropiane, sigurisë dhe thellimit të bashkëpunimit dypalësh.
Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Polonisë në proceset e integrimeve euroatlantike të Kosovës duke theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të mbështetur me të gjitha mjetet Ukrainën dhe qytetarët e saj në luftën kundër agresionit rus si dhe për të luftuar së bashku ndikimet e rrezikshme në rajonin tonë.
Duke vlerësuar lart hapjen për herë të parë të misionit të Republikës së Kosovës në Varshavë, Gërvalla vlerësoi rolin e Polonisë në përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit euroatlantik./Njeshi/