Këtë javë në Bruksel, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidentët e kryeministrat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu gatishmërinë të nënshkruajë projektin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që akuzoi Presidentin serb për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.
Në një koment për Zërin e Amerikës, Departamentit i Shtetit tha se procesi i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rruga e vetme për të siguruar marrëdhënie paqësore dhe produktive dhe për të realizuar aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. SHBA përsëriti gjithashtu thirrjen që dy palët të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwartz tha se marrëveshja duhet të zbatohet e gjitha. Në intervistën që kryediplomatja e Kosovës i dha koleges Garentina Kraja të premten , ajo tha se një zbatim i pjesshëm nuk do të sillte përparimin e synuar. /Njeshi/