18.8 C
Pec
E martë, 10 Shtator, 2024

Gërvalla: Ura e Ibrit duhet të hapet, vetëm kështu shndërrohet në një simbol të pajtimit

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla,  ka thënë sot se Ura e Ibrit duhet të hapet.  Sipas Gërvallës, vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit.

Gërvalla tha se Kosova është e përkushtuar të zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj.

Këtë deklaratë Gërvalla e bëri në një konferencë për media, pas takimit me homologen e saj nga Finlanda.

“Sundimi i ligjit është thelbësor për stabilitetin e brendshëm të Kosovës. Në takim kemi biseduar për Mitrovicën Veriore dhe urën kryesore të saj. Kjo urë e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vjet duhet të hapet dhe vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe të bashkimit. Kosova është e përkushtuar të zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, u shpreh Gërvalla.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Kryeministri Kurti pati deklaruar se Kosova është e vonuar për shumë vite lidhur me këtë çështje, pasi është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.

Në deklaratat e tij, Kurti gjithmonë kishte deklaruar se ura s’është kundër askujt, por vetëm për të gjithë qytetarët.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Kjo është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Kurti ditë më parë ka thënë se për çështjen e urës është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.

“Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet kur është çliruar Kosova para 25 vjetëve. Nuk është dashur të jetë e mbyllur kur është pavarësuar Kosova 16 vjet më parë. Është dashur të jetë e hapur edhe para 8 vjetëve në bazë të marrëveshjes së Brukselit e planit të zbatimit. Jemi trefishë të vonuar për shumë vjet. Ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat e kapitalin në të dy anët e lumit Ibër”, ka thënë Kurti./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...