26 C
Pec
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Gjashtë vjet nga vdekja e Fadil Vokrrit

Sot mbushen gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta të legjendës shqiptare të futbollit Fadil Vokrri. Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF Llapi në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi te KF Prishtina, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, ndërsa në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij Prishtina, në postin e drejtorit, ndërsa në shkurt 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar në krye të FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit. Përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhën frënge, turke dhe serbo-kroate.

Mëngjesin e 9 qershorit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.

Lamtumira e fundit Vokrrit iu dha me nderimet më të larta shtetërore më 10 qershor, ndërsa ajo ditë ishte ditë zie kombëtare./KP/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...