5 C
Pec
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Gjermania i bën thirrje Serbisë ta rishqyrtojë projektligjin, që paraqet ndërhyrje në juridiksionin e Kosovës

Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka bërë thirrje Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet e miratuara rishtazi për juridiksionin gjyqësor në Kosovë, për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Në një shkrim në “X”, Gjermania iu bashkua qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian se Qeveria e Serbisë i ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar këto projektligje, të cilat pritet të dalin për votim në Parlament.

“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionin e veprave penale shkel qartë detyrimet e saj të Dialogut. I kërkojmë Serbisë të rishqyrtojë. Të dy vendet duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme gjermane.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

Këto projektligje janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë javës, të cilat njëzëri thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se pajtohet me Bashkimin Evropian se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

“Ne përsërisim mbështetjen e Qeverisë amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj”, tha një zëdhënës i DASH-it.

Uashingtoni tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka zhvilluar zgjidhje praktike që promovojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

“Kjo duhet të zbatohet. Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë, pa vonesa, zotimet që kanë bërë në Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të raporteve, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Edhe Kosova e ka kritikuar këtë legjislacion të Serbisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Beogradin për shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial me këto projektligje.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 dhe janë pajtuar për zbatimin e saj dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...