Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar zbatim të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes me Serbinë, ndërsa kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq i ka kërkuar themelimin e Asociacionit. Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde u pajtua me Kurtin. Në Beograd, ai konsiderohet si anti-serb dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e sheh Gjermaninë si mbështetësen më të madhe të Kurtit dhe kundërshtaren më të madhe të Serbisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e vuri re herët se qëllimi përfundimtar i ndërkombëtarëve është që ta bëjnë Serbinë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Por në këtë përpjekje, ai më të angazhuar e sheh Gjermaninë, e cila në mendjen e tij është e pozicionuar qartë kundër Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën se për marrëveshjen e fundit me Serbinë u negociua 2 vjet, duke kërkuar që ajo të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.
“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet plotësisht. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, shkroi Kurti në Twitter.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq i reagoi brenda pak minutash, duke i kërkuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për tre ditë, më 19 prill, bëhen saktësisht 10 vjet, një dekadë e tërë, nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ne kemi pritur 10 vjet që Prishtina ta bëjë punën e saj, 10 vjet që Asociacioni i i Komunave Serbe të formohet. Bëje atë”, shkroi Bërnabiq, duke përmendur edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak./Njeshi/