Gjilani ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Dukagjinit në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit kosovar.
Pjesa e parë e këtij takimi ishte e qetë me lojën që zhvillohej kryesisht me duele ne mesfushë, por megjithatë Dukagjini ia doli ta gjejë golin.
Rasti i parë ndonëse jo aq serioz erdhi në minutën e 41-të ku mysafirët rrezikuan portën e Gjilanit, por pa sukses.
Goli i epërsisë për Dukagjinin erdhi në minutat shtesë të pjesës së parë me anë të Mërgim Pefqelit që realizoi për 1-0.
Në pjesën e dytë klinasit treguan një organizim të mirë në fazën defanzive, por kjo nuk iu zgjati shumë pasi në fund të takimit ata pësuan gol.
Gjilani shënoi në minutën e 93-të përmes Armend Thaçit për të barazuar rezultatin në 1-1.
Pas këtij barazimi Dukagjini shkon në kuotën e 37 pikëve dhe gjendet në pozitën e tetë në tabelë.
Gjilani në ndërkohë numëron 39 sosh dhe renditet e shtatë në tabelën e klasifikimit pas 30 xhirove.
Ndërsa Ballkani ka luajtur baras me rezultat 3-3 në udhëtim ndaj Feronikelit ‘74 në kuadër të javës së 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët të cilët realizuan për 1-0 me anë të Almir Kryeziut në minutën e 11-të.
Vendasit reaguan duke barazuar rezultatin në 1-1 në minutën e 27-të përmes Sokol Kiqinës i cili shënoi një gol tejet të bukur.
Mysafirët realizuan sërish në minutën e 43-të për të rikthyer epërsinë, kësaj radhe përmes Eris Abedinit që shënoi për 2-1.
Me të filluar pjesa e dytë, Feronikeli ‘74 gjeti rrjetën sërish, ku edhe kësaj radhe autor i golit ishte Sokol Kiqina (47’) që shënoi për të barazuar shifrat në 2-2.
Therandasit e rikthyen epërsinë edhe një herë tjetër në minutën e 71-të përmes Almir Odës që shënoi për 2-3, por vendasit nuk u dorëzuan dhe në minutën e 88-të barazuan sërish me Armend Kryeziun që shënoi për 3-3.
Pas këtij barazimi Ballkani shkon në kuotën e 54 pikëve dhe tani ka 12 më pak se lideri Drita që numëron 66 sosh./Njeshi/