9 C
Pec
E martë, 13 Prill, 2021

Gjilani zhvendoset në fushën me bar sintetik, Drita e vendosur të luajë në stadiumin e qytetit

Skuadra e Gjilanit është zhvendosur nga stadiumi i qytetit përkohësisht. Gjilanasit kanë vendosur që ndeshjen e xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll kundër Arbërisë ta luajnë në fushën me bar sintetik që ndodhet në këtë qytet.

Kjo do të jetë hera e dytë këtë edicion që Gjilani nuk do të luajë si vendas në stadiumin e vet, ndërsa e para në kuadër të kampionatit. Drejtori i Gjilanit, Sevdail Robelli, ka thënë për KOHËN të mërkurën se për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës në stadiumin e qytetit kanë qenë të detyruar të zhvendosen në fushën me bar sintetik. Robelli theksoi se fusha me bar sintetik është e licencuar nga Komisioni i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe vendimi aktual vlen vetëm për duelin ndaj Arbërisë, që do të zhvillohet të shtunën nga ora 13:00. Ndërsa, sa i përket ndeshjeve të tjera, Robelli ka thënë se do të vlerësohet gjendja e fushës së stadiumit.

“Ndeshjen ndaj Arbërisë do ta zhvillojmë në fushën me bar sintetik në Gjilan. Arsyeja është se terreni në stadiumin e qytetit është i dëmtuar shumë dhe nuk po lejon të bëjmë lojë siç duhet. Për këtë arsye kemi vendosur që këtë ndeshje ta luajmë në fushën sintetike. Për momentin është vendosur vetëm për ndeshjen më Arbërinë, kurse më pas do të shohim. Fusha sintetike është e licencuar nga FFK-ja dhe aty e kemi luajtur edhe një ndeshje të Kupës”, tha Robelli.

Sipas tij, kjo do të jetë hera e dytë që Gjilani si vendas do të luajë në fushën sintetike. Ai thotë se që nga nëntori të gjitha stërvitjet i kanë kryer aty dhe beson se do të shërbejë pozitivisht.

“Prej nëntorit, të gjitha seancat stërvitore i kemi kryer në fushën me bar sintetik. Mendoj që për momentin është vend më ideal për të luajtur. Në ndeshjet e radhës si vendas do të shohim se ku do të luajmë. Do të varet shumë edhe nga kushtet atmosferike. Tani koha ka filluar të rregullohet dhe do të shohim. Vendimi aktual është vetëm për ndeshjen me Arbërinë”, insistoi Robelli.

Ai foli edhe për ndeshjen derbi të qytetit kundër Dritës, që luhet javën tjetër. Robelli nënvizoi se aty ku caktohet të luhet derbi, Gjilani do të jetë në fushë.

“Drita është vendase dhe ajo vendos se ku do ta luajë derbin kundër Gjilanit. Aty ku ata vendosin ne do të shkojmë”, shtoi drejtori i Gjilanit.

Përderisa Gjilani nuk do të luajë në stadiumin e qytetit ndeshjen e radhës kampionale kundër Arbërisë, ekipi tjerë nga ky qytet, Drita, është i vendosur sa i përket kësaj çështjeje.

Drejtori i Përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli, ka insistuar se derbin e qytetit kundër Gjilanit dhe të gjitha ndeshjet si vendas do t’i zhvillojnë në stadiumin e qytetit. Për ta bërë të mundur këtë, Murseli ka zbuluar se janë duke e përgatitur fushën sa më mirë që të jetë e mundur.

“Drita, ndeshjet si vendase do t’i luajë në stadiumin e qytetit, aty ku i luan çdoherë. Ne nuk do të zhvendosemi në fushë tjetër. Sa i përket derbit kundër Gjilanit, ai do të zhvillohet në stadiumin e qytetit, pasi ne jemi si vendas dhe ne kemi vendosur që të luhet aty. Jemi duke e përgatitur fushën sa më mirë që të jetë e mundur. Nuk ka arsye që të zhvendoset derbi diku tjetër. Ne kemi luajtur aty edhe në kushte më të vështira, kur fusha ka qenë shumë e papërshtatshme”, tha Murseli.

Murseli mendon se fusha me bar sintetik që ndodhet në Gjilan është e amortizuar. Ai zbulon se Drita ka kohë që e ka braktisur atë fushë dhe nuk i kryen më as stërvitjet.

“Fusha me bar sintetik në Gjilan është amortizuar shumë dhe nuk është e përshtatshme për lojë. Ne as stërvitjet nuk po i kryejmë më aty. Po stërvitemi në fushën tonë me bar sintetik. Punimet në stadiumin e qytetit janë ndërprerë qe disa muaj dhe ne jemi duke luajtur aty pa ndonjë telashe”, u shpreh Murseli.

Në dy ndeshjet derbi të qytetit, të zhvilluar në stinorin vjeshtor, Drita ka fituar njëherë kurse një takim është mbyllur baras. Derbi i tretë i këtij sezoni do të zhvillohet më datën 11 mars (e enjte).

Pas 22 xhirove të luajtura, Drita, që është kampione në fuqi, është edhe lidere e Superligës me 47 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Ballkani që është i dyti dhe tri më shumë se Prishtina që zë vendin e tretë. Ndeshjen e radhës Drita e luan si mysafire e Feronikelit, të dielën nga ora 13:30.

Ndërkaq, Gjilani, që nuk ka arritur asnjë fitore në stinorin pranveror (tri barazime dhe një humbje), renditet i katërti me 32 pikë të mbledhura. Të dyja këto skuadra, si Drita ashtu edhe Gjilani, janë eliminuar nga Kupa e Kosovës dhe fokusi i tyre është vetëm në kampionat. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...