Një gjykatë në Japoni konstatoi më 30 maj se moslejimi i martesës mes personave të gjinisë së njëjtë është antikushtetuese. Ky vendim u mirëprit nga aktivistët si një hap drejt barazisë martesore në Japoni, vendin e vetëm nga shtatë vendet më të industrializuara në botë (G7) që nuk i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.
Vendimi i Gjykatës së Qarkut të Nagojës ishte i dyti që konstatoi se ndalimi i martesave mes personave të gjinisë së njëjtë përbën shkelje të kushtetutës. Gjatë dy vjetëve të fundit, katër raste të tilla gjithsej janë trajtuar nga gjykatat në Japoni.
Kushtetuta e Japonisë thotë se martesa është midis një burri dhe një gruaje. Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se shumica e japonezëve përkrahin martesat e pjesëtarëve të komunitetit LBGTI+ (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).
Disa çifte të gjinisë së njëjtë kanë paditur me raste shtetin e Japonisë, duke thënë se ndalesa ndaj tyre për t’u martuar përbën shkelje kushtetuese.
“Ky vendim na ka shpëtuar nga dhimbja shkaku i vendimit të vitit të kaluar që thoshte se nuk kishte asgjë të keqe me ndalimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë dhe nga dhimbja që e kemi shkaku i asaj që vazhdon ta thotë qeveria”, tha avokatja kryesore në këtë rast, Yoko Mizutani.
Ajo i referohej një vendimi nga një gjykatë në Osaka vitin e kaluar që konstatoi se ndalimi nuk ishte në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
Një gjykatë në Tokio më vonë e mbështeti ndalimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë, por tha se mungesa e mbrojtjes ligjore për familjet e krijuara nga personat e gjinisë së njëjtë përbën shkelje të të drejtave të tyre njerëzore/Njeshi/