23.2 C
Pec
E enjte, 13 Qershor, 2024

Gjykata në Pejë, gjashtë vite burgim ndaj të akuzuarit për aksidentin me fatalitet

Në Pejë, Gjykata Themelore e ka dënuar me 6 vite burgim të akuzuarin Aaron Rexhaj, për akuzën se kishte goditur këmbësorin Sh.G., i cili si pasojë e lëndimeve kishte ndëruar jetë.

Shpallja e aktgjykimit, u bë të martën nga gjyqtarja Blerta Kelmendi.

Për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, Rexhaj u dënua me 5 vite burgim, ndërsa për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” u dënua me 2 vite burgim.

Ndaj Rexhajt, Gjykata shpalli dënim unik me 6 vite burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 27 nëntori 2023, e i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton BetimiperDrejtesi.

Në kuptim të nenit 366 të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit iu vazhdua masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar.

Gjithashtu të akuzuarit Rexhaj, konform nenit 56 dhe 65 të Kodit Penal, iu shqiptua edhe dënimi plotësues, marrja e patentë shoferit dhe i ndalohet marrja e patentë shoferit të ri në kohëzgjatje prej 5 viteve.

Sipas gjykatëses Kelmendi, dënimi plotësues fillon të zbatohet pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa koha e kaluar në burg nuk do t’i llogaritet në shqiptimin e dënimit plotësues.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, Aaron Rexhaj e ngarkonte se më 26 nëntor 2023 në rrugë n “Bill Klinton” në Pejë, nga pakujdesia ka shkelur ligjin për rregullat e trafikut rrugor, duke e rrezikuar jetën e njërëzve dhe pasurinë, me këtë rast u shkaktua vdekja e këmbësorit Sh.G.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Rexhaj, me veturë rrugës për stacionin e trenit në Pejë, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës me pjesën e anës së djathtë të automjetit e godet këmbësorin Sh.G., i cili kishte filluar ta kalojë rrugën dhe si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë viktima.

Me këtë, Rexhaj ngarkohej se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 379, par.9 lidhur me par.6 dhe 1 të Kodit Penal.

Ai gjithashtu ngarkohej edhe për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, nga neni 374, par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së, pasi që pas shkaktimit të aksidentit i akuzuari Rexhaj thuhet se u largua nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur duke mos e ndaluar veturën për t’i dhënë ndihmë këmbësorit të aksidentuar. /Njeshi&BetimipërDrejtësi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...