9.9 C
Pec
E martë, 23 Prill, 2024

Gjykata Supreme vendos se Trumpi mund të mbetet në garë për president

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e ka hedhur poshtë kërkesën e Kolorados për t’ia ndaluar ish-presidentit, Donald Trump, garimin në zgjedhjet primare në këtë shtet.

Kolorado e kishte diskualifikuar Trumpin nga zgjedhjet primare në dhjetor, për shkak të rolit që kishte në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Gjykata Supreme vendosi të hënën se pushtetin për një vendim të tillë e ka Kongresi dhe jo shtetet.

Vendimi i sotëm nënkupton se Trumpi ka të drejtë të garojë tani në zgjedhjet primare në Kolorado.

“Fitore e madhe për Amerikën”, shkroi Trumpi në rrjetin e vet social menjëherë pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Ish-presidenti u ankua më 3 janar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Kolorados, e cila e diskualifikoi atë nga gara për president, duke thënë se ai e kishte shkelur një amendament kushtetues që u pamundëson të mbajnë poste atyre që janë “përfshirë në kryengritje”.

Pika 3 e Amendamentit 14-të ia ndalon mbajtjen e postit “secilit person të Shteteve të Bashkuara” i cili është betuar për “ta mbështetur Kushtetutën e shteteve të Bashkuara” dhe pastaj “është përfshirë në kryengritje, apo rebelim kundër po të njëjtës, apo u ka ndihmuar armiqtë”.

Por, Gjykata Supreme tha në vendimin e saj se “ne konkludojmë se shtetet mund t’i diskualifikojnë njerëzit nga mbajtja e postit apo tentimi për të mbajtur post publik. Por, Shtetet nuk kanë pushtet në bazë të Kushtetutës për ta përdorur pikën 3 në lidhje me zyrat federale, posaçërisht me presidencën”.

Përveç Kolorados, Trumpit i ishte ndaluar garimi edhe në zgjedhjet primare në Maine dhe Illinois bazuar në Amendamentin e 14-të, por ato vendime ishin pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme në rastin e Kolorados.

Të gjithë nëntë gjykatësit votuan në favor të Trumpit dhe vendimi i tyre u jap fund pothuajse të gjitha përpjekjeve për t’ia ndaluar Trumpit garimin në zgjedhjet primare në shtetet e tjera.

Trumpi është lider në garën e Partisë Republikane për t’u nominuar kandidat për president dhe gjasat janë shumë të mëdha që ai të përballet përsëri me presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të nëntorit.

Kolorado, bashkë me 14 shtete të tjera, do të votojnë të martën në një garë maratonike që cilësohet si “Super e Marta”.

Trumpi pritet të fitojë pa ndonjë telash dhe ta mposhtë kundërshtaren e vetme që i ka mbetur, Nikki Haley, në çdo fushëbetejë./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...